TIRANË – 95 vjet më parë, më 1930-ën, Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë iu dhuruan 81 tituj nga koleksioni personal albanologjik i studiuesit të shquar gjerman Gustav Weigand.

Në përkujtim, Biblioteka Kombëtare hap nesër ekspozitën “Biblioteka e një albanologu” në 155-vjetorin e tij të lindjes dhe gjestit të tij sa shkencor aq edhe elegant të dhurimit. Po ashtu, ka shpallur vitin 2015 si vitin e dhurimeve për pasurimin e fondeve albano-balkanologjike. Ekspozita shoqërohet me një referim shkencor kushtuar kontributit gjuhësor të Weigand-it nga balkanologu Prof. Dr. Dhimitri Bello.

Gustav Weigand, lindur më 1860 dhe vdekur më 1930 ishte një kontribues i shquar në studimet ballkanologjike, hartues atlasesh gjuhësore, hulumtues i marrëdhënieve mes gjuhëve e kulturave të popujve ballkanikë.

Ai zuri një vend të rëndësishëm edhe në debatet shkencore mbi historinë e gjuhës shqipe, veçanërisht përmes 12 argumenteve të tij mbi prejardhjen e saj prej trakishtes. Ky studim u publikua pak vite para se ai të ndahej nga jeta, më 1927 në “Balkan Archiv”, u përkthye dhe botua po atë vit në revistën “Diturija” nga Aleksandër Xhuvani.

Për gjuhën shqipe, G. Weigand njihet edhe për Gramatikën e gjuhës shqipe, 1913 dhe Fjalor shqip-gjermanisht e gjermanisht-shqip, 1914.

Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Gjuha e vllehëve të Olimpit”; “Gramatikë e megleno- vllahishtes”; “Vllaho-meglenishtja”; “Atlas gjuhësor i trevës dako-rumune”; “Arumunët” etj.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb