Merkatoja e dimrit ka sjellë shumë ndryshime në kampin e kuq. Prurjet e shumta dhe stafi i ri teknik kanë bërë që askush të mos e ketë të sigurt vendin në formacion. Për këtë arsye, seancat stërvitore të Partizanit karakterizohen nga rivaliteti, grinta, si dhe dëshira për të fituar edhe në ndeshje brenda grupit.

Ndryshimi i klimës ka bërë që në dy muajt e fundit të ketë “xixa” gjatë përgatitjeve, përplasje të cila mbeten brenda konturit të fushës stërvitore. Kërkesa e llogarisë mes njëri-tjetrit është e madhe dhe përplasjet e kanë burimin te ndonjë top i padhënë, një pasim jo i saktë, shpërdorim para portës, apo gabim në mbrojte.

Konkurrenca është madhe, ku për çdo pozicion luftojnë të paktën dy lojtarë. Përpos kësaj, ajo që e shton adrenalinën në stërvitje është edhe mendimi i trajnerit italian, i cili ka deklaruar se askush nuk e ka të sigurt vendin.

Agostineli ka pohuar se formacionin e bazon tek ajo çfarë japin lojtarët gjatë javës stërvitore dhe në ndeshje. Përplasja e fundit te Partizani ka ndodhur në pjesën e fundit të seancës së djeshme, ku Bicaj dhe Batha kanë debatuar gjatë një minindeshjeje kontrolli brenda grupit.

Gjithçka ka qenë në kuadrin e fjalëve në distancë, ndonëse me tone të larta. Trajneri Agostineli, pasi është sqaruar nga ndihmësit për situatën që po zhvillohej në shqip, i ka urdhëruar të dy lojtarët që të ndërpresin stërvitjen dhe të shkonin në dhomat e zhveshjes, në mënyrë që Bicaj dhe Batha të qetësoheshin.

Politika e trajnerit- Përplasja e djeshme mes dy futbollistëve të kuq nuk e ka shqetë- suar trajnerin Agostineli. Madje, burime pranë italianit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se trajnerit ndihet i kënaqur kur ka situata të tilla në ekip.

Shumëkush mund të ndihej i shqetësuar për përplasjet mes lojtarëve në ekip, por derisa gjithçka është brenda kuadrit të fushës dhe subjekti ka të bëjë me ritmin dhe rrjedhshmërinë e stërvitjes, Agostineli ndihet i kënaqur.

Italiani nuk preferon një ekip të përgjumur, por rivalitetin dhe egon në stërvitje e shikon si mënyrë karikimi para ndeshjeve të fundjavës. Pastaj, Agostineli e ka treguar veten se kur ka diçka për të thënë, siç ishte rasti i Mazrekajt, nuk kursen asnjë dhe ua thotë hapur në sy.
(PanoramaSport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb