Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden lëshoi të martën një urdhër ekzekutiv, që udhëzon agjencitë federale të forcojnë zbatimin e një ligji dypartiak për kontrollin e armëve të zjarrit, që ai e nënshkroi 9 muaj më parë. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara ligji shton kontrollet mbi të kaluarën e blerësve të armëve; forcon më tej rregullat, duke lejuar edhe sekuestrimin e përkohshëm të armës të personave potencialisht të rrezikshëm.

Dy muaj më parë, një person i armatosur hapi zjarr në një qendër vallëzimi, ku po festohej Viti i Ri kinez, duke vrarë 11 persona dhe plagosur 9 të tjerë.

“Kjo tragjedi ka goditur rëndë shpirtin e këtij komuniteti këtu në qytetin e Monterey Park-ut, në luginën San Gabriel, zemra e komunitetit aziatik në Shtetet e Bashkuara”, thotë presidenti Biden.

Pikërisht aty, Presidenti Biden ndërmori përpjekjen më të fundit për të frenuar dhunën me armë, duke lëshuar një urdhër ekzekutiv për forcimin e ligjit dypartiak për kontrollin e armëve të zjarrit. Ligji, që ai e nënshkroi 9 muaj më parë, zgjeron kontrollet mbi të kaluarën e personave që blejnë armë, që janë nën 21 vjeç dhe godet fort trafikun ndërshtetëror të armëve.

“Urdhri im ekzekutiv udhëzon Prokurorin e Përgjithshëm të ndërmarrë çdo veprim të mundshëm ligjor që na çon sa më pranë një standardi të njejtë, për të gjitha shtetet, për kontrollin e së kaluarës të blerësve të armëve, pa qenë nevoja për një ligj të ri”, thotë zoti Biden.

Grupet që përkrahin forcimin e kontrollit mbi blerjen e armëve e mirëpritën urdhrin e Presidentit Biden.

“Ky urdhër do të prekë pjesën më të madhe të njerëzve që shesin armë për qëllime fitime dhe do t’i detyrojë ata të marrin një vendim nëse duan apo jo të vazhdojnë të shesin armë dhe nëse duan apo jo të bëhen tregtarë të licencuar dhe të shesin duke kontrolluar të shkuarën e personave që duan të pajisen me armë”, thotë Mark Collins.

Akti për Komunitete më të Sigurta i miratuar vitin e shkuar u vë në dispozicion shteteve, fonde federale për hartimin e të ashtuquajturve “ligje sinjalizuese”, për parandalimin e blerjes së armëve nga personat që janë dënuar për dhunë në familje. Akti mundëson më shumë fonde federale për programe mbi parandalimin e dhunës dhe për kujdesin e shëndetit mendor.

Presidenti Biden po nxit më shumë vendimarrje nga Kongresi, përfshirë miratimin e ligjit mbi ndalimin e shitjes së armëve gjysmë-automatike si dhe shfuqizimin e legjislacionit që nuk lejon ngritjen e padive ndaj industrisë së armëve.

Vëzhguesit thonë se këto janë sinjale për një ndryshim në politikën amerikane për përdorimin e armëve.

“Lëvizja për kontrollin e armëve po bën një punë më të mire duke nxitur aleatët e Partisë Demokratikë të ndërmarrin veprime konkrete në këtë drejtim. Mendoj se nga ana tjetër, po dobësohet fuqia e grupeve lobiste për armët e zjarrit. Shoqata Kombëtare e Armëve, nuk është më një empër aq i frikshëm për politikanët demokratë sa ka qenë më parë”, thotë Matt Lacombe nga Universiteti “Case Western Reserve”.

Ndërsa mundësia e miratimit të legjeve të tjera për kontrollin e armëve është e vogël, që kur republikanët morrën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongres, aktivistët thonë se zoti Biden duhet të marrë më shumë veprime ekzekutive.

Sipas tyre, duhet caktuar një zyrtar i posaçëm për të koordinuar reagimin e qeverisë për kontrollin e armëve si edhe duhet udhëzuar agjencia federale përgjegjëse për mbikqyrjen e lejeve për armët e zjarrit, që t’u heqë lejen e mbajtjes së armëve personave që përsërisin shkeljen e ligjit.

Shtetet e Bashkuara kanë ligjet më të dobëta për mbajtjen e armëve krahasuar me vendet e tjera të industrializuara, si edhe numrin më të lartë të armëve në qarkullim, 390 milionë, ose 1.2 armë për çdo banor./ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: