Presidenti amerikan, Joe Biden do të paraqesë sot një plan të gjerë për të forcuar përgjigjen amerikane kundër pandemisë COVID-19, e nxitur nga varianti Delta, veçanërisht duke e bërë vaksinimin të detyrueshëm për punonjësit federalë.

“Presidenti amerikan pritet të nënshkruajë sot një urdhër ekzekutiv, që u kërkon zyrtarëve të vaksinohen, pa mundësinë e shmangies së vaksinimit me testime rregullisht”, shkruhet në “Washington Post”, që citon një burim të njohur me çështjen.

“Gjithashtu, nga kjo masë do të preken edhe miliona kontraktorë të punësuar nga agjensitë federale”, sipas “Wall Street Journal”.

Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, për CNN, kjo “strategji” me gjashtë faza synon të rifillojë vaksinimin dhe “të zvogëlojë numrin e shtrimeve në spital”, duke “vendosur më shumë detyrime për t’u testuar dhe (…) përkujtues për të garantuar që njerëzit të jenë më të mbrojtur” kundër virusit.

Shtëpia e Bardhë tashmë ka vendosur detyrimin e vaksinimit për ushtrinë dhe personelin përkujdesës të azileve të të moshuarve, që marrin subvencione federale.

Deri më tani, ajo kishte zbatuar një lloj certifikate shëndetësore për punonjësit federalë, të cilët kishin zgjedhjen midis vaksinimit ose kryerjes së testeve të rregullta, si edhe masave të ndryshme kufizuese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb