TIRANE- Një pamje e tillë: me lule, tollumbaca, zemra, në rrugët e Tiranës u bë e zakonshme afër datës 14 shkurt, ku mund të shihje thuajse në të gjitha vitrinat e dyqaneve oferta që lidheshin me këtë festë.
Por, çfarë pohojnë disa nga bizneset në Tiranë për blerjet e kësaj date? Dy listohen si arsyet kryesore për rënien e ndjeshme të shitjeve: krahas edhe uljeve dhe çmimeve të leverdisshme mungon forca blerëse, njerëzit privohen nga pamundësia financiare. Nga ana tjetër, tjetër arsye është edhe një sjellje indiferente ndaj kësaj feste dhe blerjeve për të.

“Një 14 shkurt i zbehtë”- thotë përfaqësuesja e dyqanit të luleve dhe bimëve “Bloom” pranë Vasil Shanto. Ajo pohon se përgatitjet nisën që pas datës 10 shkurt, duke ofruar edhe aksesorë të tjerë krahas luleve si arusha, tollumbaca, kartolina etj.por që kërkesat dhe blerjet kanë qenë të vogla.

“Më pak shitje se të gjithë vitet e mëparshme. Njerëzit kishin mundësi të gjenin diçka duke nisur nga 1000 lekë dhe sipër, sipas mundësive. Ose edhe thjesht një degë luleje. Ka pasur shumë pak levizje”- tregon ajo.

Ndërsa të kontaktuar nga Monitor, përfaqësuesit e shitjeve të argjendarisë “AltinBas” tregojnë se pavarësisht se ishin bërë shumë promocione dhe zbritje çmimi me rastin e festës së dashurisë, zbritje të cilat në shumë artikuj e kalonin vlerën e -50 %, sërish blerjet ishin të pakta.

“Prisnim më tepër shitje. Më tepër pati interesime për disa nga produktet që kishim reklamuar më parë si psh.unaza martese me gur diamante që pati thuajse 70 % sconto, por pak blerës”- tregon përfaqësuesja e shitjeve.

Ndërsa në disa nga dyqanet e rrugës “Myslym Shyri” tabelat e zbritjeve ishin afishuar që një javë më parë dhe manekinët ishin veshur me ngjyrën e dashurisë, shitëset e disa dyqaneve treguan se kanë pasur shumë pak njerëz të interesuar, tendencë që ato e shohin në ulje vit pas viti.

“Ditë më parë, kishim klientë që madje hynin në dyqane për të blerë diçka, por jo për festën e 14 Shkurtit. Kanë munguar thuajse totalisht njerëz që të blinin për këtë festë”- tregon shitësja e dyqanit “Syria Style”. Të njëjtën tendencë e pohojnë edhe tregtarët e tregut çam, madje tregojnë se çmimet kanë qenë të leverdisshme, mirëpo blerësit kanë munguar.

Mendohet se edhe vizita e djeshme e sekretarit të Shtetit Amerikan John Kerry ka ndikuar në mungesën e blerjeve, duke qenë se bllokimi i lëvizjeve të mjeteve në disa nga akset kryesore në kryeqytet, ka penguar lëvizjen e lirë të individëve./Monitor/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb