Që prej vitit 2003, Blerta Lila ushtronte profesionin e saj si parukiere. Vera e këtij viti do të ishte e fundit për biznesin e saj. Në shtator ajo do të aplikonte për të pezulluar aktivitetin, duke qenë kështu një nga 1,978 bizneset që janë mbyllur gjatë këtij muaji. Blerta, tani e pa punë, thotë se po pret që të zhvendoset drejt Italisë.

Edhe për Adrianën, e cila që prej vitit 2008 kishte një dyqan lulesh pas ish-Ekspozitës, muaji shtator do të ishte i fundit për aktivitetin e saj. E kontaktuar nëpërmjet telefonit për t’u pyetur mbi arsyet e pezullimit të aktivitetit, do të përgjigjej bashkëshorti. Sipas tij, arsyeja kryesore ishte rënia e xhiros, deri në pikën që shkuan drejt falimentimit. “Prej një viti ra puna. Edhe zona ishte pak e varfër dhe nuk ka fuqi blerëse, tha ai, ndërkohë që shtoi se e bashkëshortja ende nuk ka gjetur punë.

Rënia e fuqisë blerëse ka qenë arsye edhe për Ilir Mujën, i cili kishte shumë vite që kishte një dyqan ushqimore pranë Rrugës së Barrikadës. Përveç rënies së fuqisë blerëse, Iliri shton se edhe shpenzimet në raport me fitimin ishin shumë të mëdha. “Nuk e nxirrnim as një rrogë për veten. Në vitet e fundit, u hap Big Market këtu afër, u hap dhe Conad këtu afër. Kemi pasur nivel të lartë kontrollesh ”, -tha ai i pyetur nga “Monitor”.

Shtatori nuk kurseu as biznesin e Artur Burnazit në sektorin e tregtisë me pakicë. Ai ushtronte aktivitetin që prej vitit 2006 në rrugën 5 Maji, por dy vitet e fundit ishin ato që kishte ndjerë më shumë rënin e xhiros.

Por edhe në zonat rurale, situate ka qenë e njëjtë. Arjana Ibrahimi, e cila banon dhe kishte prej vitesh një dyqan në Prezë tregon për “Monitor” se puna në dyqanin e saj ra ndjeshëm. Ndër faktorët që ajo liston si shkak të falimentimit është papunësia dhe varfëria e zonës ku ajo jeton. “Në përgjithësi nuk ka punë në dyqane. Për momentin unë jam e papunë, tha zonja Ibrahimi.

Numri i bizneseve që kaluan në status pasiv, pra që kanë pezulluar aktivitetin e tyre, u rrit me 2.3 herë në krahasim me shtatorin e një viti më parë. Sipas të dhënave që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikon çdo ditë në faqen zyrtare mbi bizneset që kanë kaluar në statusin pasiv, numri i bizneseve që ulën qepenat në shtator është 1,978 biznese. Prej fillimit të vitit, deri në shtator, numri i bizneseve të pezulluara është 11,292, në krahasim me 6,969 biznese që janë pezulluar një vit më parë, me rritje prej 62% në krahasim me janar-shtator 2017 .

Në krahasim me muajt e tjerë, shtatori shënoi rekord për mbylljen e aktiviteteve. Një pjesë e këtyre aktiviteteve janë edhe bizneset sezonale, që punojnë kryesisht gjatë sezonit turistik, por dhe në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritja është e dukshme.

Kastriot Sulstarova punon vetëm gjatë muajve të verës në qytetin e Pogradecit. Pasi përfundon sezoni ai bën kërkesë për pezullim aktiviteti.

Të dhënat nga Tatimet tregojnë se ka pasur një numër të lartë pezullimesh në zonat turistike. Numrin më të lartë të bizneseve të pezulluara gjatë shtatori e ka Drejtoria Rajonale Tatimore në Durrës, ku janë mbyllur rreth 374 bizneseve, nga 1978 që janë pezulluar në të gjithë vendin.

Ndërkohë që numër të lartë pezullimesh kanë raportuar edhe Drejtoritë Rajonale të Vlorës, me 319 biznese, Sarandës me 272 biznese, Shkodrës me 271, dhe Lezhës me 274. Ndërsa Drejtoria Rajonale e Tiranës renditet e dyta me 361 biznese të mbyllura.

Këtë verë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shtoi kontrollet dhe inspektimet në të gjitha zonat bregdetare të vendit, duke rritur në këtë mënyrë edhe formalizimin e bizneseve sezonale në zonat turistike. /Monitor/

Bizneset E Pezulluara
Bizneset E Pezulluara
Sipas Qarqeve
Sipas Qarqeve

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb