TIRANE- Ndryshimi vjetor i çmimeve shënoi ritme të ulëta të rritjes duke qenë me afër deflacionit se inflacionit. Të dhënat e fundit të INSTAT që i referohen muajit mars 2016 tregojnë se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 0,3 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,2 %. Por teksa deflacioni duket se po nxitet nga rënia e çmimeve të transportit, veshjeve dhe qirave, nga ana tjetër çmimet e shportës, sidomos ato të perimeve janë rritur me ritme dyshifrore. Çmimet e frutave u rriten në muajin prill me 28% dhe çmimet e zarzavateve me 8%. Rënia e inflacionit në nivelet më të ulëta të dekadës duket së ka ardhur nga rënia e çmimeve në shërbimet e transportit me -0,28 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me rënie -0,18 pikë përqindje dhe çmimet e veshjeve, këpucëve dhe shëndetit kanë kontribuar me nga -0,09 pikë përqindje secili.

NDIKIMI
Rritja vjetore në muajin mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,81 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,13 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Hotele, kafene e restorante” kanë kontribuar respektivisht me + 0,05 dhe + 0,03 pikë përqindje. Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin mars 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4,8 % pasuar nga grupi, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,6 %, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike me 2,2 %, etj. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 28,1 %, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet” me 8,7 %, nëngrupi “sheqer, reçelra e ëmbëlsira” me 1,5 %, nëngrupi “vajra dhe yndyra” me 0,6 % etj.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: