Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut Andrew Cuomo tha të shtunën se gjatë 24 orëve të fundit në këtë shtet pati 540 të vdekur nga koronavirusi, shifra më e ulët ditore në më shumë se dy javë.

Duke folur në një konferencë shtypi, zoti Cuomo tha gjithashtu se shtrimet e reja në spitale vazhdojnë të vërtiten në shifrën 2000, duke shtuar se ky është gjithsesi një numër i madh.

Nju Jorku, që është edhe shteti i goditur më rëndë nga COVID-19, urdhëroi vënien e detyrueshme të maskave ose të mbulesave të fytyrës në publik për të frenuar përhapjen e virusit.

Kjo masë e re vjen ndërkohë që disa shtete të SHBA po përpiqen të rihapin ekonominë në klimën e protestave nga ana e përkrahësve të presidentit Donald Trump, të cilët mezi presin rikthimin e njerëzve në punë.

E shtuna mbyll një javë tjetër gjatë së cilës miliona amerikanë nuk morën pagë.

Më shumë se 20 milion njerëz kanë dorëzuar kërkesa për pagesë papunësie në pak javët e kaluara, ndërkohë që mbyllja e bizneseve dhe shkollave apo kufizimet e udhëtimeve kanë bllokuar ekonominë e vendit.

Por në frontin e punësimit ka edhe lajme të mira: Kompania Ëalmart tha se do të marrë në punë 50,000 njerëz të tjerë në dyqanet e saj dhe qendrat e shpërndarjes për të përmbushur rritjen e kërkesës për sende ushqimore apo sende të domosdoshme shtëpiake nga konsumatorët e detyruar të qëndrojnë në shtëpi.

Një biznes që konsiderohet thelbësor për furnizimet ushqimore, industria e përpunimit të mishit, është goditur rëndë nga epidemia.

Impiantet në Dakotën e Jugut, Xhorxhia, Ajova dhe shtete të tjera kanë raportuar qindra infeksione mes punonëtorëve që janë të detyruar të punojnë afër njëri-tjetrit, duke bërë që disa fabrika të zhvendosin prodhimin ose të mbyllen. Kjo është bërë shkak për thirrje nga sindikatat për kushte më të sigurta pune.

Edhe pse kompani të mëdha si Ëalmart dhe Amazon e kanë vazhduar punësimin, një pjesë e amerikanëve që jetojnë në shtete ku ka më pak infektime me COVID-19, po ndihen gjithnjë e më të shqetësuar nga kufizimet.

Kjo ka çuar në protesta gjatë kësaj jave nga mbështetës të Presidentit Trump në kryeqytetet e shteteve Minesota, Miçigan dhe Virxhinia.

Në demonstrata kanë marrë pjesë njerëz të shumtë që nuk praktikonin distancimin fizik dhe as nuk mbanin maska apo mbulesa për fytyrën dhe kjo i ka zemëruar guvernatorët që po përpiqen ta mbajnë shpërthimin e koronavirusit nën kontroll. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb