TIRANË

Në spitalet COVID ka një rënie të ndjeshme të urgjencave mjekësore. Kështu raportoi gazetari Erjon Skëndaj për “BalkanWeb” nga spitali “Sehfqet Ndroqi”. Sipas tij, në sanatorium në 24 orë numri i urgjencave është rreth 25 që vijnë nga veriu i vendit dhe Tirana.

“Numri i shtretërve të zënë ka rënë poshtë 200 shtretërve. Fakti që ky spital në ditët e para të marsit gati-gati u mbyll, bëri që të kishte lirim të shtretërve. Në spitalin Infektiv ka një lloj frymëmarrje pas largimit të urgjencave të Tiranës dhe ka rreth 15 urgjenca ditore. Ka një situatë disi të normalizuar”, raportoi Skëndaj.

Ai foli dhe për rastin e rëndë në COVID 2 të vdekjes së një 22-vjecareje lehonë.
“Vdekja e 22-vjeçares nga Korça, shtatzënë, ka mbërritur në Sanatorium më 12 shkurt në gjendje të rëndë shëndetësore me gati 100% të mushkërisë së prekur. Ishte trajtuar fillimisht në banesë, ishte trajtuar për 4 ditë në spitalin e Korçës dhe më pas është sjellë në Sanatorium dhe është vlerësuar në stadin 4.
Më 16 shkurt ka pasur një përkeqësim më të madh, është kryer një lindje e sforcuar. Mësohet se foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore në një nga maternitetet e Tiranës. Pas kësaj date gjendja e saj ka ardhur duke u përkeqësuar dhe më 19 shkurt është intubuar. Më 9 mars pas tre javësh humbi jetën, nga një arrest kardiak i shkaktuar nga trombozat. Ky është i disati rast në ditët e fundit kur COVID-19 i merr jetën nënave të reja që sapo kanë lindur, ndërsa më herët janë asistuar ose në Sanatorium, Infektiv apo maternitetet e Tiranës”, raportoi gazetari.

Mjekët ngrenë alarmin se virusi nuk kursen as moshat e reja dhe nuk duhet të vijnë në spital në gjendje të rënduar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb