PERMET- Rrëzimi i disa pemëve gjatë natës së djeshme ka bllokuar aksin  “Ura e Leklit” në Përmet. Autoriteti Rrugor dhe Policia e Shtetit po punojnë për zhbllokimin dhe largimin e pemëve të rëna.

Sakaq, problem të tjera janë shfaqur edhe tek linja 100 kv e tensionit të lartë, e cila furnizon me energji elektrike zonat përreth.

Dyshohet se shkak i rënies së pemëve në rrugë është bërë moti me erë gjatë natës së kaluar. Aktualisht, rruga funksionon vetëm me një sens dhe kjo ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve.

“Aksi rrugor nga Ura e Leklit në Përmet është aktualisht i bllokuar. Shkak është bërë rrëzimi i disa pemëve gjatë natës. E dëmtuar është edhe linja 100 kv e tensionit të lartë. Policia dhe Autoriteti Rrugor i Rajonit të Jugut po punojnë për zhbllokimin e rrugës. Rruga e kalueshme vetëm në një kah pas ndërhyrjes. Rrëzimi i një plepi është bërë gjatë natës për shkak të erës, në afërsi të fshatit Dragot, pranë pikës së grumbullimit të makinave të sekuestruara nga policia, ndërsa janë rrëzuar në mënyrë të qëllimshme edhe dy plepa të tjerë të tharë që ishin rrezik për automjetet”, thuhet në njoftimin zyrtar.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb