Ashtu siç ishte paralajmëruar Shqipëria është përfshirë gjatë natës nga temperatura të ulëta dhe reshje bore në disa zona. Kështu, reshjet e borës kanë përfshirë pjesën më të madhe të qarkut të Dibrës, Korçës e Elbasanit.

Sipas informacioneve të marra nga banorët, në disa njësi të thella të qarkut të lartësia e bores arrin në 40 cm. Gazetari Enver Doçi raportoi për “BalkanWeb” se për momentin fshatrat e disa njësive janë të bllokuara dhe nuk ka lëvizje të furgonëve të fshatrave nga bllokimi i rrugëve rurale. Në disa zona ka dhe mungesë të energjisë elektrike, ndërsa në rrugën nacionale lëvizet pa problem Burrel-Peshkopi. Njësitë më problematike janë Lura, Kalaja e Dodës, Arras, Trebisht, disa fshatra të njësisë Zerqan janë të bllokuara dhe Tërnova e Madhe dhe Tërnova e Vogël ku lartësia e borës shkon nga 30-40 cm.

Në Korçë, reshjet e borës kanë nisur prej orës 4 të mëngjesit. Trashësia fillon qeë nga 2 cm në qytet deri në 10-15 cm në zonat e larta malore. Deri në këto momente nuk ka probleme në qarkullim pasi që prej mëngjesit po punohet me kriposje nga firmat kontraktore.

Në segmentin rrugor të Dardhës në kilometrin e 5-të deri në të 13-in, rruga bëhet e mundur vetëm me zinxhirë, ndërsa pjesa tjetër e akseve nacionale është e kalueshme pa zinxhirë.

Ka probleme me energjinë elektrike në fshatrat e njësisë administrative Cëraves ne Pogradec, fshatra të Vithkuqit, disa fshatra të fushës së Korçës si dhe një lagje e tërë në qytetin e Maliqit. Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Arsimit bëjnë me dije se mësimi vijon normalisht në të gjitha shkollat.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në Elbasan, reshjet e dëborës kanë mbuluar mëngjesin e kësaj të mërkure të gjitha zonat malore. Që nga ora 03:00 e mëngjesit zona malore e Bashkisë së Librazhdit, Gramshit, Elbasanit dhe Përrenjasit është zbardhur nga dëbora. Trashësia e saj në këto zona ka shkuar deri në 30 cm.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Zona më e prekur nga reshjet e dëborës në Qarkun e Elbasanit është ajo e Njësisë Administrative Steblevë ku mëngjesin e të mërkurës ishin bllokuar të gjitha akset rrugore. Sipas kreut të kësaj njësie Albert Kaleci situata nuk është shqetësuese pasi të gjitha mjetet dhe punonjësit janë në terren dhe rrugët janë hapur pas orës 09:00 dhe janë të qarkullueshme.

Ndërkohë që në pjesën më të madhe të bashkisë së Përrenjasit mungon furnizimi me energji elektrike për shkak të dëmtimit të linjave të tensionit të ulët nga moti i keq. Nga ana e bashkive janë vënë në lëvizje strukturat e emergjencave civile dhe ndërmarrjet e shërbimeve publike për të garantuar normalitetin në të gjitha shërbimet që u nevojiten qytetarëve.

Për shkak të motit të keq, ka mungesë të energjisë elektrike edhe në disa zona në Fier, si në Zhupan e Levan.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb