Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë do të paraqesë “Ju kam lënë malin” në ekspozitën e 15-të ndërkombëtare të arkitekturës në Bienalen e Venecias, 28 maj – 27 nëntor 2016. Kuruar nga Simon Battisti, Leah Whitman-Salkin dhe kolektivi dizenjues Åbäke, pavijoni shqiptar i përgjigjet temës “Raportim nga Fronti” të kuratorit të Bienales Alejandro Aravena, duke paraqitur një gjendje që ka përcaktuar teksturën urbane të Shqipërisë: arkitektura e zhvendosjes dhe migrimit.

Kuratorët kanë porositur tekste të reja rreth arkitekturës së zhvendosjes nga shkrimtarë, poetë e krijues të skenës ndërkombëtare: poeti Etel Adnan, poeti Mourid Barghouti, shkrimtari Michel Butor, artistja Claire Fontaine, arkitektja Yona Friedman, artisti Anri Sala, antropologu Michael Taussig, ekonomisti Yanis Varoufakis, shkrimtarja Ornela Vorpsi dhe urbanisti Finn Williams. Tekstet interpretohen nga këngëtarët më të mirë iso-polifonikë shqiptarë. Këngët do të dëgjohen në pllaka gramafoni 30cm, të cilat do të luajnë gjatë gjithë kohëzgjatjes së Bienales së Venecias si një instalim tetë-kanalësh. Zërat e Shqipërisë do të mbushin pavijonin.

Katër grupe kanë kontribuar talentin e tyre muzikor dhe krijues për të realizuar këtë inçizim të veçantë. Grupi nga Fieri udhëhequr nga Shaban Zeneli me: Petrit Canaj, Llazar Dumi, Kastriot Halihoxha, Nesim Meno, Muharrem Mezani, Guri Rrokaj, Fatmir Tahiraj; grupi ‘Bilbili’ nga Vlora, organizuar nga Sejmen Gjokoli, me: Adriatik Genko, Viktor Gjoka, Sinan Gjoleka, Vendim Kapaj, Piro Latifaj, Dejrim Muhafaraj, Trifon Mulaj; grupi nga Tirana me: Dhurim Ballo, Sotir Ballo, Nazo Celaj, Trifon Golemi, Mehmet Vishe, Hyso Xhaferraj; e së fundi grupi i grave nga Himara, me: Luljeta Çipa, Valentina Gerdhuqi, Violeta Gerdhuqi, Zaharulla Koka, Polite Merkuri, Eglanda Prifti, dhe Vojsava Zenelaj, organizuar nga Kristo Çipa.

Pavijoni i Venecias do të transformohet në një hapësirë të të dëgjuarit kolektiv. “Ju kam lënë malin” hap bisedën lidhur me urbanizmin e emigrimit, duke projektuar çeshtjen shqiptare në skenën ndërkombëtare, me qëllimin e qartë për t’i kthyer dialogun dhe spekulimet e saj, sërish në Shqipëri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb