Një grup i nënave dhe grave ruse kanë përcjellë një mesazh për presidentin Vladimir Putin.

Ata kanë kërkuar që lideri rus të mos i dërgojë më në front burrat dhe bijtë e tyre, thirrje kjo që vjen në një kohë që humbjet e ushtrive ruse në Ukrainë kanë qenë të mëdha.

Ato pretendojnë se personat që po dërgohen në front nuk kanë marrë asnjë trajnim paraprak apo mjetet e duhura ushtarake, çka po ndikon edhe në humbjet e mëdha të ushtrisë së Putinit.

Në një video të shpërndarë nga kanali i pavarur rus Telegram SOTA, gratë thanë se familjarët e tyre ishin “detyruar t’i bashkoheshin grupeve të sulmit” në fillim të marsit, pavarësisht se kishin kryer vetëm katër ditë stërvitje që nga mobilizimi i tyre në shtator.

“Burri im ndodhet në vijën e kontaktit me armikun. Njerëzit tanë po dërgohen si qengja në thertore për të sulmuar zonat e fortifikuara kundër armikut të armatosur rëndë. Ne kërkojmë që të tërhiqni djemtë tanë nga linja e sulmit dhe t’i siguroni ushtrisë mjete dhe municione”, ka deklaruar njëra prej tyre.

Lëvizja e Rusisë për të dërguar qindra mijëra për të luftuar në fushat e betejës së Ukrainës ka gjeneruar mospajtim dhe protestë dhe ka bërë që shumë rusë – në veçanti të rinjtë – të largohen nga vendi.

“Ne ikëm nga Rusia sepse duam të jetojmë. Kemi frikë se mund të na dërgojnë në Ukrainë”, tha më parë për CNN një shtetas rusë, i cili kërkoi të mos identifikohej për të mbrojtur familjarët e tij që kishin mbetur në Atdhe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: