TIRANË – Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha ka bërë sot bilancin e punës së Bashkisë së Tiranës dhe ka shpallur objektivat për vitin 2015, nisur nga miratimi i buxhetit afatmesëm të bashkisë dy ditë më parë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Basha që në krye falenderoi këshilltarët “që u ngritën mbi interesat partiake” dhe e miratuan këtë buxhet. “Në krye të prioriteteve të administratës sime ka zhvillimi ekonomik dhe punësimi, si përgjigje e drejtpdrejtë ndaj nevojave të mëdha për punësim e punësim cilësor, me paga më të larta dhe siguri. Shpallja e këtij objektivi u prit jo pa skepticizëm tre vite më parë se çfarë mund të bënte Bashkia. Është e qartë se pushteti vendor nuk mund të bëjë gjithçka, – tha ai, – por mund të bëjë diçka. Dhe ne, mund të them, kemi bërë më shumë se diçka. Ne krijuam klimë miqësore ndaj biznesit, ulëm taksat dhe barrën fiskale me qëllim shtimin e punësimit dhe punësimin cilësor, me paga më të larta dhe siguri në punë.”

Fjala e kryebashkiakut u ndërpre për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në sallën e Universitetit të Arteve dhe nisi pas më shumë se një ore e gjysëm.

“Promovimi i investimeve të huaja është një aspekt i rëndësishëm i punë sonë, – tha Basha në vijim. – Për fat të keq, vepra më kryesore, krijimi i një parku teknologjik, me qeverinë rajonale të Bolonjës, ka mbetur në vendnumëro, sepse hapësira u konvertua në Ministrinë e Mbrojtjes, por ne do të shohim projekte të tjera.

25 MIJE TE PUNESUAR NE 3 VJET, FATKEQESISHT NE ULJE

Lajmi i mirë është se numri i të punësuarve është 25 mijë në tre vjet dhe vetëm 12 500 në vitin 2012, por lajmi i keq është se ky numër ka ardhur në rënie për shkak të rritjes së taksave dhe çmimit të energjisë elektrike tek bizneset dhe konsumatorët. Problem është bllokimi i projekteve strategjike në kryeqytet që ka sjellë një rënie prej 2500 vendesh pune dhe rënie tjetër po kaq të madhe për shkak të bllokimit të bulevardit dhe terminalit. Gjithsesi, bilanci ynë është pozitiv. Dhe për vitet në vazhdim, deri në 2017, është që ne do të përpiqemi për uljen e taksave që mbledh Bashkia e Tiranës. Vetëm përmes uljes së taksës, vetëm nëpërmjet konsiderimit të biznesit si aleatin tonë në këto kohë krize, të bëjmë plane për të ardhmen.”

PAK HUMOR

Gjatë fjalës së tij, Basha bëri dhe humor, ndërsa denonconte shembjet e paligjshme të INUK-ut, për të cilin tha, duke lexuar fjalimin “se e paskam të shkruar IKUK-u”…

PROJEKTI I PENGUAR I TERMINALIT NGA KRYEMINISTRI

Lidhur me projektin e rëndësishëm të Terminalit Multimodal të Tiranës, Basha tha se ai do të ndërtohej në hyrje të Tiranës dhe parashikonte 5 platforma treni dhe 3 platforma tramvaji. Ai do të reduktonte emetimin e gazit dhe blozës dhe do të lironte 3.5 km parkim, që sot zihet nga autobusët e linjave. Mendoni një gjatësi nga Brryli deri tek “Vasil Shanto”. 6 ton blozë në ditë i kursen mushkërive të qytetarëve të Tiranës ky projekt i penguar nga Kryeministri Rama, që ka rritur akcizën e cigareve.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb