Nga: Armir Mehaj, Brikena Metaj, Vitore Ndoj, Fatmir Popja, Roland Bardhi
Zjarret e shumta që përfshinë vendin disa ditë më parë, ngritën edhe njëherë alarmin lidhur me problematikat e shumta që ekzistojnë lidhur me emergjencat civile. Efektivë zjarrfikës që luftojnë pa pushim me flakët në kufijtë e vetëflijimit, e përballë tyre mjete të amortizuara, mungesë e hidrantëve, terreni i vështirë e mungesa e bashkëpunimit mes institucioneve. Kjo është panorama që vjen në këtë sezon veror, ndërsa flitet për emergjencat civile. E aty ku strukturat dorëzohen, ndihmojnë reshjet e shiut për vënien e situatës nën kontroll.

Ka qenë kjo deklarata e Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, rreth 40 ditë pasi ka marrë detyrën në vitin 2013, një deklaratë që nxinte situatën e emergjencave të asaj kohe, sipas Tahirit të trashëguar nga qeveria e mëparshme. Por si është gjendja 2 vite më pas? Rastet e shumta të zjarreve të këtyre dy muajve të fundit rivunë në qendër të vëmendjes edhe njëherë tjetër, problemet jo të pakta të emergjencave civile. Në një deklaratë të 3 javëve me parë, gjatë stërvitjes së përbashkët rajonale për emergjencat, ministri Tahiri nuk përmendi shifra apo problematika ashtu sikundër në vitin 2013, por u ndal vetëm tek dëmi që i shkaktohet ekonomisë e theksoi domosdoshmërinë në ashpërsimin e dënimeve…

Por edhe pse kishte një raportim të mëparshëm për rritje ekstreme të temperaturave,
Instituti i Gjeoshkencave specifikoi edhe zonat më të rrezikuara, vecanërisht për fundin e muajit korrik dhe fillimin e muajit gusht, si pjesa kufitare e rretheve Shkodër-Pukë-Lezhë-Mirditë,c zona kufitare e rretheve Tiranë-Kavajë-Peqin, rrethi i Mallakastrës dhe rrethet në kufi me të si dhe Gadi shulli i Karaburuni t dhe Riviera.

6 vatra masive zjarri u aktivizuan në Pukë, aty ku ndërhyrja deri në kufijtë e vetëflijimit të efektivëve zjarrfikës, u përball me një mungesë angazhimi të strukturave lokale

Vakumi në funksionimin e njësive vendore fill pas zgjedhjeve lokale është një ndër shkaktarët që ka ndikuar ndjeshëm në situatën e emergjencave në qarkun e Gjirokastrës nga zjarret. Kjo pranohet nga vetë drejtuesit e PMNZSH, sipas të cilëve muajt qershor – korrik 2015 kanë shënuar një shifër më të lartë vatrash zjarri krahasuar me një vit më parë, duke e përcaktuar situatën e zjarreve në këtë qark si problematike.

Sipas Bizhgës, Tepelena është një ndër zonat më problematike në këtë qark, ndjekur nga Këlcyra, Përmeti e Dropulli, ndërsa terreni malor në pjesën dërrmuese të rasteve ka vështirësuar punën e efektivëve zjarrfikës, ndërkohë që ka munguar plotësisht bashkëpunimi me inspektoriatin e Mjedisit.
E në një kohë kur flitet për emergjencën, ende në vitin 2015 flitet për mungesën e hidrantëve në pjesën më të madhe të territorit, e aty ku ka prani të tyre, mungesa e ujit I bën jo funksionalë edhe hidrantët aktive.

Rreth 70 vatra zjarri janë regjistruar këtë dymujor në Qarkun e Gjirokastrës, ndërsa viti 2014 numëronte vetëm 58 të tilla. Sipërfaqja e dëmtuar nga zjarri në këtë qark shkon në mbi 30 ha, ndërsa ka patur vetëm 1 rast penaliteti për shkaktarët e vënies së zjarreve që në shumicën e rasteve janë të qëllimshme.

Mirdita ka qenë një nga zonat më të prekura nga vatrat e mëdha të zjarrit, e ku për shuarjen totalë të flakëve kontribuoi nëna natyre, përmes reshjeve të shiut. Pikërisht atëherë kur u prit shumë gjatë për një ndërhyrje nga ajri, pasi rrezikohej precipitim i situatës.

Vatrat e zjarrit kanë sjell dëm të madh në pyje e kullota, vlerësimi i të cilave është në proces e sipër, siç deklarohe nga shërbimi zjarrfikës. Në një bisedë në Neës24 në 1 gusht, kreu i shërbimit zjarrfikës Agustin Pepkolaj deklaroi se nuk ka qenë bashkëpunimi i duhur mes urgjencës, policisë dhe shërbimit zjarrfikës për rastet e emergjencës civile

48 efektivët e shërbimit zjarrfikës në qarkun e Lezhës ndodhen në vështirësi, për shkak se përveçse u është dashur të përballen me flakët në zonat më të thella, këtë verë kanë ndërhyrë për dhjetëra raste aksidentesh, e ku koordinimi me institucionet e tjera pranohet se nuk ka qenë i mirë

Disa vatra zjarri u aktivizuan në Librazhd, e në Elbasan, me pasojë dhjetëra hektarë pyje të shkrumbuara. Situata e kësaj vere ritheksoi edhe njëherë disa problematika: për emergjencat civile në Qarkun e Elbasanit mbetet problem gjendja tejet e amortizuar e mjeteve të shërbimit zjarrfikës pjesa më e madhe e të cilave është prodhim i vitit 1970. Po kështu edhe mungesa e hidrantëve të ujit për makinat e shërbimit zjarrfikës vazhdon të jetë një problem mjaft shqetësues që nuk po merr ende zgjidhjen e duhur .Ndërsa në pyje mungesa rrugëve automobilistike si dhe mungesa e ndarjes në parcela e masiveve pyjore sikurse parashikon ligjin e vështirëson së tepërmi ndërhyrjen në rast të shfaqjes së zjarrit. Por po kaq të shumta problemet janë edhe në qytet ku Elbasani mbetet ndër qytetet me më shumë vështirësi veprimi ku tipike është lagja Kala ndër më të vjetrat e këtij qyteti ku asnjë prej mjeteve të shërbimit zjarrfikës nuk mund të futet në brendësi të saj pasi rrugët janë ngushtuar së tepërmi vitet e fundit.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: