Nga 188 vendime të marra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që nga nisja e procesit të Vettingut në shkurt të vitit të kaluar kanë kaluar filtrin e parë të kontrollit vetëm 81 gjyqtarë e prokurorë. Është ky bilanci i punës së KPK në 17 muaj punë për spastrimin e sistemit të drejtësisë. Por çfarë po ndodh me institucionet e reja të drejtësisë. A janë gati Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë për të nisur nga funksioni, kur do të nis nga puna SPAK? Për të gjitha këto ndjekim analizën e bërë nga gazetarja Klodiana Lala.

17 muaj më parë institucionet e vettingut nisën nga puna me qëllim për të pastruar sistemin e drejtësisë nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar apo të lidhur me krimin. Ligji për rivlerësimin kalimtar i votuar korrikun e 2016 më në fund po jepte efektet e para. Nga shkurt i 2018 deri më 31 korrik 2019 shkalla e parë e vettingut ka firmosur në total  188 vendime, duke tronditur në themele sistemin. 81 gjyqtarë e prokurorë e kaluan filtrin e parë të kontrollit. Në shumicë dërrmuese vendimet e KPK janë ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik.

Plot 68 gjyqtarë dhe prokurorë u shkarkuan nga detyra pasi nuk justifikonin milionat si dhe për shkak të kontakteve me eksponentë të krimit të organizuar, 31 prej tyre janë larguar përfundimisht nga sistemi.

Ndërsa të tjerë presin përballjen me KPA. Vettingu rrëzoi njerëzit më të rëndësishëm në sistemin gjyqësor, kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja dhe atë të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori. Filtrit të trefishtë i shpëtoi nga Gjykata Kushtetuese vetëm anëtarja Vitore Tusha ndërsa nga Gjykata e Lartë, Ardian Dvorani.

Në sitën e vettingut mbetën edhe dy anëtarët e KLP Antoneta Sevdari dhe Gentian Osmani. Shumë kryetarë gjykatash dhe drejtues prokurorish janë shkarkuar tashmë dhe duket sikur gjithçka po shkon në pikën zero. Listën e njerëzve të drejtësisë që kaluan me lehtësi procesin e vettingut e kryesojnë prokurorët Olsian Cela kandidat për prokuror i përgjithshëm dhe Altin Dumani kandidat për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme ose ndryshe SPAK.

Sistemi për momentin është në kolaps. Po vjeshta çfarë pritet të sjellë?  Ndërsa për vënien në funksion të plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë do nevojitet më shumë kohë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb