NGA: DARINA TANUSHI
Qeveria miratoi dje, strukturën dhe kri teret e përzgjedhjes së punonjësve që do të marrin rolin e bilbilfryrësve në administratën publike, por edhe atë private. Me një vendim të posaçëm, pas miratimit të ligjit “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, qeveria përcakton se “struktura përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve në autoritetet publike me mbi 80 të punësuar përbëhet nga dy nëpunës/ punonjës”. “Njësia përgjegjëse në autoritetet publike është drejtuesi i strukturës së auditimit të brendshëm dhe një nëpunës/ punonjës i saj. Në mungesë të tyre, kjo njësi përbëhet nga dy nëpunës/punonjës të njësisë së auditimit të brendshëm. Në ato raste kur autoriteti publik nuk ka në strukturën e tij strukturë auditimi të brendshëm, njësia përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve është drejtuesi i strukturës së burimeve njerëzore dhe një nëpunës/ punonjës i saj. Në mungesë të tyre, kjo njësi përbëhet nga dy nëpunës/punonjës të strukturës së burimeve njerëzore”, thuhet në vendim.

“Autoritetet publike, të cilat në strukturën e tyre kanë njësi të posaçme, ndër të tjera, për luftën ndaj korrupsionit dhe praktikave apo veprimeve të dyshuara të korrupsionit, kryejnë edhe detyrën e njësisë përgjegjëse”, përcaktohet më tej në vendim. Në ato autoritete publike, në të cilat nuk mund të zbatohen pikat 2 dhe 3, të këtij vendimi, për shkak se nuk kanë strukturë auditimi apo të burimeve njerëzore ose nuk plotësohet numri, sipas pikës 1, të këtij vendimi, njësia përgjegjëse plotësohet ose përbëhet nga dy nëpunës/punonjës të përhershëm të autoritetit, të cilët, përveç detyrave që kryejnë dhe kushteve/kritereve të përgjithshme e të veçanta, të përcaktuara në legjislacionin që rregullon marrëdhënien e punës, duhet të plotësojnë edhe këto kushte:
a) Të kenë vjetërsi në punë jo më pak se dy vjet;
b) Të kenë mbaruar arsimin e lartë, i preferueshëm në shkencat juridike, shkencat sociale ose shkencat ekonomike;
c) Të mos jenë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale. Autoritetet publike, që kanë degë territoriale në Republikën e Shqipërisë, krijojnë, sipas vendimit, njësinë përgjegjëse vetëm në strukturën qendrore të tyre.

“Caktimi si nëpunës/punonjës i njësisë përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve në autoritetin publik, krahas detyrave dhe funksioneve të pozicionit të punës, sipas aktit të emërimit, është pa afat dhe përfundon me mbarimin e marrëdhënieve në atë pozicion pune”. Njësia përgjegjëse për zbatimin e ligjit, si strukturë që ndjek në vazhdimësi sinjalizimin e një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni si dhe mbrojtjen e sinjalizuesve nga hakmarrja në veprimtarinë e saj, mban kontakte të vazhdueshme me ILDKPKI- në. Njësia përgjegjëse në sektorin publik vepron në mënyrë të pavarur dhe jashtë çdo influence tjetër, të padrejtë, që mund të pengojë realizmin e detyrave të saj në zbatim të ligjit të miratuar më parë. Për çdo ndërprerje të marrëdhënies së punës ndërmjet autoritetit publik dhe nëpunësit/punonjësit të njësisë përgjegjëse, informohet menjëherë ILDKPKI-ja. Titullari i autoritetit publik merr masat e nevojshme që të zëvendësojë menjëherë nëpunësin/punonjësin e larguar të njësisë përgjegjëse me punonjës të strukturës përkatëse ose, sipas rastit, të strukturave të tjera, duke zbatuar kriteret e përcaktuara në këtë vendim. Sipas vendimit, “Nëpunësit/punonjësit e njësisë përgjegjëse largohen nga kjo detyrë me urdhër të titullarit të autoritetit publik, kur:
a) japin dorëheqjen me shkrim nga detyra e njësisë përgjegjëse, e cila i dërgohet, njëkohësisht, edhe ILDKPKI-së;
b) dënohen me vendim gjyqësor të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale;
c) kryejnë shkelje të rëndë të legjislacionit që rregullon sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve; ç) përfundon marrëdhënien e punës me autoritetin publik”. Titullarët e autoriteteve publike emërojnë nëpunësit/punonjësit në detyrën e njësisë përgjegjëse brenda 15 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, dhe njoftojnë me shkrim inspektorin e përgjithshëm të ILDKPKI-së për krijimin e njësisë përgjegjëse, së bashku me kontaktet e saj. Projektvendimi i është nënshtruar një procesi të gjerë konsultimi publik, me qëllim informimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi kuadrin ligjor, si dhe marrjen e mendimeve nga të gjithë aktorët dhe grupet e interesit, për përmirësimin e mekanizmave ligjorë e masave politikëbërëse në zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit si dhe fuqizimin e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e këtyre mekanizmave.

ÇFARË PARASHIKON LIGJI PËR SINJALIZUESIT
Ngrihen njësitë përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve në të gjitha autoritetet publike me mbi 80 punonjës dhe subjektet private, të cilat kanë më shumë se 100 të punësuar. Njësia përgjegjëse përbëhet nga dy punonjës të trajnuar posaçërisht në fushën e mbrojtjes së sinjalizuesve. Moscaktimi i njësisë përgjegjëse nga organizata, në përputhje me ligjin, dënohet me gjobë 100.000 lekë.
Qëllimi i këtij projektvendimi është:

-parandalimi dhe goditja e korrupsionit në sektorin publik;

-mbrojtja e individëve që sinjalizojnë veprimet ose praktikat e dyshuara të korrupsionit në vendin e tyre të punës;

-nxitja e sinjalizimit të veprimeve ose praktikave të dyshuara të korrupsionit në sektorin publik. ILDKPKI sipas ligjit është e ngarkuar me detyrën e monitorimit dhe nxjerrjes së udhëzimeve për mekanizmat e sinjalizimit të brendshëm dhe të jashtëm. Sinjalizuesi, i cili sinjalizon një veprim apo praktikë të dyshuar korrupsioni në përputhje me dispozitat e këtij ligji, mbrohet ndaj çdo mase hakmarrëse të marrë ndaj tij nga organizata, duke përfshirë, por pa u kufizuar në:
a) shkarkimin nga puna;
b) pezullimin nga puna të një apo më shumë detyrave;
c) transferimin brenda apo jashtë organizatës;
ç) uljen në detyrë;
d) uljen e pagës dhe/ose të shpërblimeve financiare;
dh) humbjen e statusit dhe të privilegjeve;
e) mosngritjen në detyrë;
ë) heqjen e së drejtës për të marrë pjesë në trajnime;
f) vlerësime negative në marrëdhënien e punës;
g) forma të tjera të hakmarrjes në lidhje me punën.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: