Ndeshje me dyer të mbyllura me vetëm 239 persona të seleksionuar që do të ketë të drejtë të hyjnë brenda. Kjo është hipoteza mbi të cilën po punon DFL dhe Liga e Futbollit Gjerman për të bërë të mundur që Bundesliga të rinisë pas emergjencës së koronavirusit.

Lajmin e raporton “Bild”, që shkruan se 126 persona do të kenë leje për të qëndruar në fushë (lojtarët, trajnerët, mjekët, televizionit dhe fëmijët e topave, me këta të fundit që do të jenë më pak sesa 12 të zakonshmit) dhe 113 persona në tribunë, mes gazetarëve, personalit të sigurisë (edhe këta në numër të reduktuar) dhe tetë drejtues për secilën skuadër.

Hyrja do të jetë e ndaluar për të ftuarit vip dhe nëpunësit e klubit pa funksione për ndeshjen, ndërsa jashtë stadiumit do të jenë rreth 50 forca për sigurinë. Në ndeshjen e vetme të luajtur me dyer të mbyllura më 11 mars, ishin autorizuar për të hyrë në stadium 600 vetë, por liga gjermane e ka konsideruar të tepruar një numër të tillë njerëzish. Bundesliga është e ndalur të paktën deri më 30 prill. DFL shpreson që të rinisë kampionatin në fillim të majit.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb