Nuk ka më asnjë dyshim, Refik Halili shkarkon Ze Marian. Ky është lajmi i fundit që vjen nga Tirana, ku mungon vetëm zyrtarizmi formal pasi dy palët më në fund kanë gjetur kompromisin.


Humbja kundër Laçit vendosi fatin e teknikut brazilian i cili mesditën e sotme nuk ka zbritur si zakonisht për të stërvitur skuadrën por është larguar pas vetëm dhjetë minutash mbledhje me lojtarët e pranishëm në kompleksin “Skënder Halili”. Ze Maria është larguar së bashku me stafin e tij ndërsa stërvitjen e ka drejtuar trajneri i portierëve Egbo. Ze Maria është takuar më pas më presidentin Halili në ambientet e “Vila Gold”, ku kanë diskutuar dhe detajet e fundit të prishjes së kontratës 2-vjeçare.

Burime për BalkanWeb bëjnë me dije se pasuesi i Ze Marias në stolin e Tiranës do të jetë një legjendë e këtij klubi, Ardi Mema, aktualisht zëvendës trajner i Flamurtarit. Vetë klubi më anë të një komunikimi për mediat ka njoftuar mbajtjen e një konference ditën e enjte në orën 12:00 në stadiumin “Selman Stërmasi” ku do të bëhet dhe prezantimi i trajnerit të ri.

BalkanWeb