Shtohet tragjedia për familjen Lala në zonën e ish-Kënetës në Durrës, teksa nga kjo familje janë nxjerrë trupat e pajetë të katër personave.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “News 24” e “Balkanweb” se në rrënojat e familjes Lala janë gjetur katër trupa të pajetë.

Viktima janë tre fëmijë, dy prej të cilëve binjakë Enis dhe Dionisa, djali Emilio 6 vjeç dhe nëna Marjeta 31 vjeçe. Ata u gjetën të përqafuar me njëri – tjetrin. Familja Lala ishte me origjinë nga Peshkopia, por jetonte në Durrës.

Në këtë operacion kanë marrë pjesë forca speciale nga vende të ndryshme. Për të nxjerrë trupat e pajetë nga rrënojat, kanë punuar forcat greke dhe të tjera të huaja, që erdhën të ndihmojnë Shqipërinë në këto momente të vështira.

Me nxjerrjen e 4 trupave të pajetë nga rrënojat e banesës së familjes Lala në zonën e ish-Kënetës në Durrës, numri i viktimave nga kjo tragjedi shkon në 47. Ndërsa, raportohet se si pasojë e lëkundjeve të tërmetit, janë lënduar mbi 790 persona.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb