KORCE- Birra “Korça” dhe tingujt e muzikës rrok të këngëtarit të mirënjohur Elton Deda kanë “tërbuar” mbi 50 mijë persona në qytetin e Korçës. Nata e tretë e Festës së Birrës ka qenë magjike për banorët e qytetit juglindor dhe jo vetëm. Ritmi i festës tashmë ndihet në çdo cep të këtij qyteti dhe sa vjen e shtohet më shumë nga muzika dhe këngëtarët e ftuar, por mbi të gjitha nga shija e të pakrahasueshmes birra “Korça”, që vijon të jetë mbretëresha e mbrëmjes. Ndryshe nga netët e tjera, risia në natën e tretë të festës ka qenë prania e shumë vizitorëve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Vizitorë të shumtë, kryesisht nga Tirana, Durrësi dhe Elbasani, kanë zgjedhur të kalojnë disa orë festive nën shoqërinë e birrës “Korça” dhe këngëve të interpretuara nga këngëtarët më në zë të skenës shqiptare, si: Juliana Pasha, Mateus Frroku, Kejsi Tola, Kamela Islami dhe Erjon Zaloshnja.

Pikërisht në këtë 10-vjetor jubilar të kësaj feste, gjithçka duket edhe më e bukur, duke i veshur Korçës për net me radhë petkun e gëzimit, muzikës dhe kërcimeve nën shoqërinë e birrës. Atmosferën festive mundohet ta shpjegojë Arditi, i ardhur nga Durrësi enkas për këtë festë dhe për të shijuar shijen e birrës “Korça”.

Ai tha se ka mbetur i mahnitur nga organizimi dhe nga atmosfera e krijuar në Korçë në natën e tretë.

“Jam shumë i lumtur që po shijoj këtë atmosferë të magjishme që ka krijuar Korça me Festën e Birrës. Për mua është hera e parë që vij dhe shijoj nga afër madhështinë e kësaj feste dhe pa dyshim që është një nga mbrëmjet më të këndshme. Gjithçka është në perfeksion dhe jemi duke u argëtuar mjaft. Ambienti dhe muzika janë në lartësinë e duhur për një festë të tillë e, mbi të gjitha, shija e birrës ‘Korça’ është e pakrahasueshme, çka ia shton më tepër bukurinë dhe lezetin kësaj feste”, – u shpreh i riu nga Durrësi.

Ndërkohë që në këtë festë madhështore kanë qenë të pranishëm edhe vizitorë nga kryeqyteti, që janë bashkuar nën ritmin e muzikës duke kaluar orë të këndshme nën shoqërinë e birrës. Së bashku me miqtë e vet, Endri duket se e ka shijuar më së miri këtë festë, duke lënë të kuptohet se nga viti në vit, një festë e tillë në Korçë po merr gjithmonë e më shumë famë, duke u bërë e papërsëritshme.

“Është hera ime e gjashtë që vij në Korçë për të qenë i pranishëm në Festën e Birrës. Madje këtë herë kam sjellë edhe miqtë e mi me vete. Të them të drejtën, në një festë të tillë, me një atmosferë kaq të ngrohtë dhe të mahnitshme është mëkat të mos jesh prezent. Madje, ajo që kam vënë re unë gjatë pranisë sime në këtë festë për gjashtë vite radhazi, është fakti se festa e birrës “Korça” po bëhet gjithmonë e më madhështore. Asnjëherë më parë nuk kam parë kaq shumë njerëz të pranishëm në një festë. Shpresoj që të vazhdojë për shumë vite me radhë”, – pohoi Endri.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: