Birra e parë shqiptare “Birra Korça” kapërcen kufijtë. Cilësia e saj tërheq investitorët e huaj dhe tani po diskutohet që ky produkt të jetë edhe në tregun e Italisë.
Tashmë dhe konsumatori italian do të ketë mundësi ta shijojë në çdo tavolinë Birrën Korça. Edhe këtë herë ajo provon se falë teknologjisë moderne dhe investimeve madhore, është e pakonkurrueshme për shijen e saj të hollë.

Fabrika e Birrës Korça, u vizitua këtë të martë nga një grup biznesmenësh italianë dhe përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes se Sipërmarrjes shqiptare, të cilët diskutuan për eksportin e Birrës Korça në Itali.

Konkretisht interesi për një birrë të re në treg, por edhe të një cilësie mjaft të mirë ka bërë që së fundmi Birra Korça të jetë ambicia e radhës e vëllezërve Massimiliano dhe Stefano Maneschi.

Stefano pas vizitës në fabrikë mbeti i befasuar nga shija e birrës por edhe nga investimi gjigand. Ai shprehet se këtë ndjesi do ta marrë me vete edhe në Itali për të diskutuar dhe për ta pasur në treg, birrën e parë shqiptare, Birrën Korça.

“Interesi jonë është të kemi në treg një birrë të re, kërkojmë një birrë me këtë cilësi që në Itali nuk e kemi e që do ketë sukses në treg edhe ne të ardhmen e afërt.
Ambicia jonë është e lartë, jemi një relacion kaq i gjerë që ende po e vëzhgojmë, kemi kënaqësinë që të njohim teknika fantastike, e që patjetër na ka lënë shenjë tek ne dhe uroj një të ardhme shumë të suksesshme. Do të thosha që është një ndjesi pozitive që kemi marrë pas vizitës sonë te fabrika e birrës, sapo të kthehemi në Itali do të procedojmë më tej, për këtë treg”, tha Stefano Maneschi.

I impresionuar nga shija dhe teknologjia moderne e prodhimit të birrës ka mbetur edhe vëllai i tij Massimiliano.
“Birra është me të vërtetë e shkëlqyer. Ne kemi ngelur shumë të kënaqur e të mahnitur nga impianti, organizimi dhe mbi të gjitha pastërtia. Në Korçë vij për herë të parë dhe kemi ngelur të befasuar nga mënyra sesi është ndërtuar qyteti i pastër i bukur, shumë karakteristik”, u shpreh Massimiliano.

Vizita e biznesmenëve Italiane u përmbush me ndalesën në Shtëpinë e birrës Korça për të shijuar gatimet tradicionale që ofron restoranti. Birra Korça është lider prej dekadash tashmë në tregun tonë. Ajo është pëlqyer nga konsumatori shqiptar, europian dhe ai amerikan.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb