NGA ERJOLA JATA

TIRANE- Pas shoqatës së Prodhuesve të Birrës, një tjetër prodhues vendas i këtij produkti ka dhënë alarmin se industria po dëmtohet nga importi. Sipas Stefan Pingulit, Shqipëria nuk po mbron prodhimin vendas, por po i jep prioritet importit gjë që dëmton konkurrencën dhe biznesin.

Duke marrë si shembull Kosovën, Pinguli thotë se akciza që prodhuesit kosovarë paguajnë në vendin tonë është shumë herë më e ulët.

“Ne sigurisht që kemi tentuar për të hyrë në Kosovë dhe s’kemi mundur. Fakti që nuk kemi mundur tregon që kostot e dërgimit për në Kosovë dhe kostot e produkteve tona kanë nivele të papranueshme për kosovarët, jo për faktin e kostove të brendshme, por për faktin sepse pala kosovare di ta mbrojë produktin shitës të vetin. Kurse ne, pala kosovare por jo vetëm ajo, dhe shumë palë të tjera, kanë një lehtësi portuale për të ardhur këtu. E njëjta gjë ndodh në Maqedoni dhe Greqi. Provo të çosh mall shqiptarë atje. Përveç vështirësisë fizike për të hyrë nëpër dogana, ka dhe vështirësi financiare dhe fiskale, e cila ato janë mbarsur me taksa shumë më të larta se taksat tona. Dhe çuditërisht punët e tyre brenda vendit shkojnë shumë mirë dhe nuk lejojnë të tjerët të hyjnë, kurse tek ne bëhet një zullum shumë i madh. Si ka mundësi brenda 4 vjetësh hyjnë birrat kosovarë tronditin tregun me një lehtësi të jashtëzakonshme brenda përbrenda, dhe ne pranojmë dampingjet (shitje nën kosto) e tyre në çmime. Si fazë e parë hyrëse kuptohet në këto vlera i krijojnë mundësi investimit të marketingut të jashtëzakonshëm”, shprehet Stefan Pinguli.

Ndaj prodhuesit vendas i kërkojnë qeverisë të zbatojë ligjet dhe të ulë akcizën.

“Qeveria duhet të zbatojë ligjet që ka vendosur vetë për të cilat kemi qenë dakord të gjithë, ku çdo prodhues mbi 200 mijë hektolitra duhet të përballet me një taksë më të veçantë. Dhe në përgjithësi kemi përfaqësuar birrat e huaja, sepse birrat e vendit nuk kanë arritur të prodhojnë mbi 200 mijë hektolitra. Vendi duhet të adoptojë ligjin mbi të drejtën shqiptare, dhe mbi këtë bazë ati jo vetëm që duhet të jenë të detyruara që më në fund birrat shqiptare të arrijnë që më në fund të ndryshojnë taksën, por nga ana tjetër kanë lehtësira portuale në lidhje me çmimet e tyre që paraqesin në doganë. E çuditshme është se dogana është e interesuar vetëm të mbledhë taksa, dhe jo për mbrojtjen. Dhe nuk ka klauzolë për këtë punë. Mezi arritëm që të bëjmë këtë punë, por kush na paguan këto 4 vite që kanë kaluar në këtë terror fiskal psikologjik dhe depresion të tregut”, tha ai.

Stefan Pinguli thotë se kanë zhvilluar takime në lidhje me shqetësimet e tyre dhe këta prodhues kërkojnë që akciza e produkteve dhe industrisë së birrës që eksportohet në Kosovë të jetë e barabartë me akcizën e produkteve të industrisë së birrës që importohet nga Kosova në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb