“Biseda telefonike mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij grek, Aleksis Tsipras, ka qenë e planifikuar për t’u kryer prej kohësh.” – kështu shprehen burime nga ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë lidhur me bisedën mes dy kryeministrave e sidomos trajtimit që iu bë në mediat greke.

Mediat greke referuan se telefonata erdhi pas krizës për shkak të publikimit në fletoren zyrtare të ligjit për pronat, me të cilin Athina pretendon se është sekuestruar prona e minoritarëve grekë në Himarë, por burime nga Tirana zyrtare thanë se çështja e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri është e përhershme në bisedat mes tyre.

“Cështja e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri është e përhershme në bisedat mes dy kryeministrave dhe cështja e lidhur me pronësinë ka qenë e mbetet e qartë. Nuk ka pasur asnjë vendim të posacëm lidhur me pronat e minoritarëve dhe vendimi i marrë nga qeveria për të tërë vijën bregdetare, i ka shërbyer një analizë të gjendjes së pronës në bregdet dhe identifikimit të pronave shtet përgjate bregut. Vendimi i ri çel procesin e regjistrimeve, tanimë mbi një bazë më solide të krijuar nga ndalimi i përkohshëm i regjistrimeve.  S’ka qënë s’është e s’do të jetë asnjëherë në interesin a në veprimet e qeverisë shqiptare, cënimi i të drejtave të asnjë minoriteti, përfshirë edhe minoritetin grek që gëzon respekt e të drejta të plota në Shqipëri.” -theksuan burime nga MEPJ.

Po sipas të njëjtave bruime, dy kryeministrat diskutuan edhe për një sërë aspektesh të bisedimeve shqiptaro-greke, të cilat vazhdojnë në një frymë të shëndetshme mirëkuptimi e respekti reciprok.

“Spekullimet politike e mediatike, janë shumë larg realitetit të fakteve e të përpjekjeve pozitive mes dy vendeve” – shprehen burimet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb