PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kanë biseduar mbrëmë me telefon, njofton agjencia serbe e lajmeve, Tanjug.
Sipas këtij burimi, ata biseduan rreth bashkëpunimit mes Beogradit e Prishtinës si dhe mbi pozitën e serbëve në Kosovë.

Mustafa e Vuçiç, thekson Tanjugu, janë pajtuar që të gjitha problemet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe se pas vendosjes së kontakteve direkte, në të ardhmen të komunikojnë drejtpërdrejtë mbi të gjitha problemet potenciale.

Por sot kryeminsitri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se ka qënë Vuçiç iniciatori i bisedës së mbrëmshme.

Ai tha se ekziston nevoja që Prishtina dhe Beogradi të mos dërgojnë në Bruksel çdo temë kontestuese që kanë ndërmjet tyre.
“Unë e kam iniciuar nevojën që të bisedoj me z. Vuçiç gjatë procesit të migrimeve të mëdha, sepse kam pasur nevojë të kërkoj nga ata të marrin masa në mbylljen e korridorit të migrimeve. Muk kam arritur sepse ka qenë dy ditë para shkuarjes në Bruksel dhe tani vetë z. Vuçiç e ka inicuar bisedën. Jemi dëgjuar mbrëmë me telefon, jemi marrë vesh që çështjet e nevojës së shpejtë ti zgjidhim vetë, të tjerat i çojmë në Bruksel”, tha sot Mustafa.

“Të dyja palët kemi treguar vullnet që çështjet e veçanta ose të paparashikuara t’i zgjidhim përmes bisedave dhe kontakteve të drejtpërdrejta”, u shpreh ai.

Gjatë ditës së djeshme, edhe ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç bashkë ministrin e Transportit, Zorana Mihajloviç, qëndruan në Kosovë në një vizitë zyrtare për të marrë pjesë në një konferencë ballkanike, në të cilën u fol për investimet e Bashkimit Evropian në infrastrukturën e Ballkanit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: