TIRANË-Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, do të qëndrojë të enjten në Prishtinë dhe të premten në Beograd, në vizitën e saj të parë që kur mori detyrën vjeshtën e vitit të kaluar.

Para se të shkojë në rajon, ajo tha se “edhe Serbia, edhe Kosova, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, përballen me sfida të rëndësishme, veçanërisht kur bëhet fjalë për reforma ekonomike, sociale dhe politike, që u përgjigjen pritjeve të qytetarëve të tyre dhe gjithashtu janë edhe në kontekstin e hapave të mëtejmë drejt normalizimit më gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet tyre”.

Ajo ka theksuar se me Prishtinën dhe Beogradin do të bisedojë për hapat e mëtejmë të të dyja vendeve në rrugën evropiane dhe “zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve”.

Zonja Mogherini e cila trashëgoi në postin e saj baroneshën Catherine Ashton, trashëgoi edhe angazhimin në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë çuar në një marrëveshje në prill të vitit 2013, por ende ka ngecje në zbatimin e saj.

Më 10 shkurt të këtij viti, zonja Mogherini ndërmjetësoi një marrëveshje për drejtësinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siç thuhet “mundëson funksionimin e sistemit të drejtësisë së Kosovës” edhe në komunat veriore të saj të banuara me shumicë serbe, raporton Zëri i Amerikës.

Çështja e gjykatave në veriun e Kosovës ishte pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet të dyja vendeve në prill të vitit 2013 në kuadër të bisedimeve që Kosovës i mundësuan marrëveshjen e stabilizim asocimit, ndërsa Serbisë, hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është angazhuar bë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve për hir të integrimeve evropiane.

Zyrtarët evropian kanë përsëritur qëndrimin se zbatimi i marrëveshjeve kusht kryesor për Serbinë që të avancojë në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ende nuk dihet se kur do të vazhdojë procesi i bisedimeve meqë palët nuk janë pajtuar ende për temat që do të diskutohen. Derisa Beogradi kërkon të hapet çështja e bashkësisë së komunave serbe dhe ajo e pronave në Kosovë, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka deklaruar se nuk do të shkohet më tej para se të shpërbehen të gjitha strukturat paralele të mbështetura nga Beogradi që veprojnë në veriun e Kosovës.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb