Në momentin më të rëndësishëm të sezonit, teksa ndodhen në krye dhe favorit kryesor për të fituar titullin kampion, Partizani dhe trajneri Colella duhet të bëjnë llogaritë pa liderin e ekipit, pa kapitenin, Eneo Bitri.

Merkato trazon edhe njëherë kartat në shtëpinë e kuqe, pasi një ofertë nga Superliga çeke ka bindur Bitrin të largohet nga kryeqyteti, edhe pse vetë drejtori sportiv Elton Marini ishte shprehur për Sport News në News24 disa ditë më parë se askush nuk do të largohej nga skuadra.

Aktualisht qendërmrbojtësi ka nën kontratë edhe 6 muaj te demat dhe kjo është arsyeja se përse klubi çek Banik Ostrava do të duhet të paguajë 150 mijë euro për shërbimet e djaloshit nga Berati. Burime për “Balkanweb” bëjnë me dije se dëshira e futbollistit ka qenë e madhe për të nisur këtë aventurë jashtë vendit, vetëm 1 vit pas rikthimit te Partizani dhe drejtuesit kanë pranuar.

Megjithatë, të kuqtë kanë menduar edhe për zëvendësuesin e kapitenit, i cili pritet të jetë një futbollist që ka bërë mirë në futbollin shqiptar. Bëhet fjalë për Mevlan Adilin, i cili ka prishur kontratën me klubin rus, Khabarovsk, vetëm 6 muaj pas largimit nga Vllaznia. Në garë për shërbimet e mbrojtësin janë edhe shkodranët, por demat janë më pranë transferimit të tij në skuadër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb