NGA OLA MITRE*

Subjekte të ndryshme në kryeqytet ankohen se po paguajnë nga dy herë për akt-miratimin higjieno-sanitar. Shkak për këtë situatë është bërë moskoordinimi i detyrave mes Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Drejtorisë së Shëndetit Publik në Tiranë, ndërkohë që problematika është konstatuar gjatë javëve të fundit. Sipas subjekteve, ISHSH nuk njeh akt-miratimet e lëshuara nga DSHP e për pasojë po i detyron të paguajnë sërish për të nxjerrë lejet e reja, pasi në të kundërt do të gjobiten. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë edhe kopje të këtyre ankesave, ku bizneset, duke cituar inspektorët e ISHSH-së, thonë se nëse nuk bëjnë akt-miratimin e ri, do të gjobiten me 200 mijë lekë”. Më konkretisht, në njërën prej këtyre ankesave, e cila ka mbërritur në Drejtorinë e Shëndetit Publik, Tiranë, thuhet: “Ju vë në djeni se kam bërë një vetëdeklarim pranë institucionit tuaj para një muaji për t’u pajisur me akt-miratimin higjieno-sanitar. Para 10 ditëve vjen specialisti i higjienës, me kërkesën që kisha bërë unë, ku vlerësoi kushtet higjieno-sanitare dhe na la numrin e kontaktit për t’u paraqitur tek DSHP. Paguam faturën tek arka dhe ia lamë specialistit, i cili na plotësoi akt-miratimin, që e disponojmë si subjekt. Më datë 13.03.2015 ka ardhur për inspektim Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, të cilët kontrolluan dokumentacionin higjieno-sanitar dhe lanë një procesverbal, ku shprehen se nuk njohin akt-miratimin e lëshuar nga ana juaj dhe nëse nuk bëjmë tjetrin, do të procedojnë më masë administrative 200 000 lekë gjobë. Subjekti që ankohet ndodhet te rruga ‘X’ dhe ka numër NIPT ‘Y’. Ju lutem merrni në konsideratë ankesën time, pasi inspektorët kanë shkaktuar konfuzion”.
PROCESVERBALET
“GSH” ka mundur të sigurojë edhe disa prej procesverbaleve të lëshuar nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, ku konfirmohen ankesat e bizneseve. Vetë inspektorët konstatojnë se subjektet janë të pajisura me akt-miratimin higjieno-sanitar, por pavarësisht kësaj, iu lenë një afat kohor për të bërë akt-miratimin e ri. “Subjekti është i pajisur me akt-miratimin nr. 129 nga ASHR dhe librezë shëndetësore brenda afatit dhe certifikatë DDD. U vendos: Të pajiset me akt-miratimi higjieno-sanitar nga ISHSH Tiranë, deri në datë 10.04.2015”, thuhet në njërin prej këtyre procesverbaleve, të lëshuar në datë 2 prill 2015.
LIGJI&KONFLIKTI
Sipas ligjit “Për shëndetin publik dhe Inspektoratin Sanitar Shtetëror”, të drejtën për lëshimin e akt-miratimit higjieno-sanitar e ka struktura vendore. “Struktura vendore e shëndetit publik, pasi bën ekspertimin higjieno-shëndetësor paraprak, jep akt-miratimin për: miratimin e sheshit të ndërtimit; miratimin e projektit ndërtimor, teknolo-gjik, rindërtimit, rikonstruksionit; vënien në shfrytëzim të objektit”, thuhet në nenin 6 të këtij ligji. I njëjti nen saktëson se “kur vërehen shkeljet e sipërpërmendura, inspektorati që mbulon fushën e shëndetit ndalon me vendim fillimin ose vazhdimin e punimeve, duke kërkuar plotësimin e mangësive”. Kjo do të thotë se të drejtën për të dhënë këtë dokument e kanë DSHP-të, ndërkohë që ISHSH duket se është në shkelje të ligjit. Megjithatë, i pyetur nga “GSH”, kryeinspektori i ISHSH për Tiranën, Gjergj Koja, u shpreh se veprimet bazohen në një urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Sipas këtij urdhri që “GSH” e disponon, ‘akt-miratimi’ do të lëshohet nga degët rajonale të qarqeve të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, deri në rregullimin e kuadrit ligjor përkatës për procedurën e lëshimit të praktikës në fjalë. Por, ajo që vihet re në këtë urdhër të ministrit, është fakti se ai nuk ngarkon ISHSH-në të mos njohë akt-miratimet e lëshuara më parë nga DSHP e të detyrojë bizneset të nxjerrin leje të reja higjieno-sanitare. Nga ana tjetër, procesverbalet e ISHSH-së janë lëshuar më herët se urdhri i Beqajt. Dokumenti i firmosur nga ministri mban datën 3 prill 2015, ndërkohë që procesverbalet e ISHSH datojnë më herët. Përtej konfliktit institucional, ata që po vuajnë këtë situatë janë bizneset, të cilat janë të detyruara të paguajnë 2 herë tarifën që varion nga 700 lekë-20 000 lekë.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb