NGA VJOLLCA KONGJONI

TIRANE- Asnjë subjekt i lojërave të fatit nuk mund të hapë pika të reja sekondare nëse nuk ka paguar detyrimet tatimore. Ky vendim është marrë nga ministri i Financave Shkëlqim Cani, i cili ka firmosur ndryshimin e udhëzimit mbi procedurat e hapjes së pikave të reja, duke forcuar rregullat. Kjo do të thotë se, asnje pike basti, kazino elektronike apo çfarëdo loje fati, nuk mund të hapë pikë të re, nëse nuk ka paguar detyrimet tatimore.

Në njoftimin e ministrisë nuk sqarohet arsyeja e firmosjes së këtij ndryshimi, por nëse u referohemi të dhënave të kërkuara nga “News 24”, për gjashtë mujorin e parë të vitit, konstatohet se nga 800 pika të reja sekondare të hapura, 700 prej tyre, shumica baste sportive, janë mbyllur sërish, duke lënë të kuptohet se nuk kanë paguar detyrimet ndaj tatimeve.

Gjatë kësaj periudhe biznesi i lojërave të fatit vijon të mbetet problematik. Nga të dhënat e ministrisë së Financave për gjashtëmujorin e parë të këtij viti rezulton se nga 2200 subjekte të kontrolluara, 600 prej tyre rezultojnë me shkelje ligjore.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit janë konfiskuar gjithashtu rreth 700 pajisje elektronike. Ndërkohë që u është hequr licenca katër subjekteve dhe janë vendosur gjoba ndaj 32 të tjerave.

Megjithatë, sipas dikasterit të Financave të ardhurat në gjysmën e parë të vitit nga ky sektor, janë dyfishuar krahasuar me vitin 2014, nga 24,2 milionë lekë në 68 milionë lekë.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb