Komuniteti i biznesit kundërshton një ligj të miratuar në Parlament që detyron ndërtuesit që 3% të sipërfaqes t’ia kalojnë bashkisë për të ndihmuar familjet e pastreha. 4 Shoqata te biznesit në vend nëpërmjet një deklarate të përbashkët theksojnë se ligji i miratuar kohë më parë për barrën e taksave rëndon konsumatorët me rritjen e çmimit të apartamenteve.

Komuniteti i biznesit e konsideron këtë ligj si një taksë të paarsyeshme dhe kërkon rishikimin e saj. Ky ligj do të rrisë kostot për metër katror të çdo objekti të ri, pasi ai do të rëndojë në çmimin final që paguhet nga konsumatori.

Ligji është duke u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ende nuk ka arritur në një vendim final. Solidariteti për familjet në nevojë sipas komunitetit të biznesit nuk mund të jetë barrë vetëm e biznesit të ndërtimit, por ai duhet të shtrihet për të gjithë tatimpaguesit e Republikës së Shqipërisë.
Komuniteti i biznesit i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese, e cila është duke e shqyrtuar këtë çështje, të shfuqizojë nenin detyrues të kësaj takse.

Solidariteti për shtresat në nevojë dhe vulnerable duhet të mbështet nga të gjithë tatim paguesit e Shqipërisë dhe jo vetëm nga një segment i caktuar i ekonomisë, siç është sektori i ndërtimit, i cili sot është më i rënduari nga barra e taksave.

Bizneset thonë se hapi i parë që do të ndjekin është që kjo kosto do të reflektohet si një zë më vete në kontratën e shit-blerjes së objektit. Në këtë mënyrë, qytetarët do të evidentojnë se çmimi për metër katror është rritur si pasojë e politikave fiskale të qeverisë dhe jo nga ndërtuesi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb