KAMËZ

Eksperti i ekonomisë në radhët e Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, pas një inspektimi të kryer në qytetin e Kamzës pa nga afër kushtet e biznesit, ndërsa tha se ky sektor, po shkon drejt falimentimit, për shkak të politikave  shtypëse të qeverisë. Me një postim në “Facebook”, Teliti thotë se largimi  i qytetarëve ka ulur fuqinë blerëse  dhe kjo reflektohet tek xhirot e biznesit në këtë qytet. Sipas tij, PD-ja e ka gati planin e saj për të rimëkëmbur ekonominë e Shqipërisë.

Postimi i Telitit:

Paratë kanë marrë arratinë, ekonomia në humnerë, qeveria krihet para pasqyrës së propagandës me shkëlqim. Kjo është panorama e dhimbshme, ku me dhjetra biznese kanë ulur qepenat vetëm pak kilometra larg nga zemra e Tiranës, në Kamëz.

Sot, gjatë takimeve me bizneset e vogla bashkë me Xhelalin, Dhuratën, Flamurin dhe Bujarin pamë një situatë skandaloze, ku shitësit e dyqaneve i hapnin dhe i mbyllnin qepenat, shpeshherë pa shitur asgjë gjatë gjithë ditës. Kudo dëgjoje pothuajse të njëjtat shqetësime, por më kryesoret ishin:

Askush nuk blen.  E vetmja tregti është blerja me listë e që për shitësit është e pamundur të vazhdohet më gjatë pasi po falimenton biznesi. Nuk ndihet fare që jemi në prag festash, përkundrazi, është përgjysmuar xhiro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Na mbytën kontrollet, po na marrin frymën. Shumë biznese janë mbyllur, edhe ne që jemi akoma hapur, jemi drejt falimentit – na thonin tregtarët e vegjël. Kjo është situatë që kërkon ndërhyrje emergjente, nuk mund të vijojë më gjatë.Jo vetëm leku që ka marrë arratinë por po e marrin cdo ditë njerëzit nga pamundësia për të mbijetuar.Nuk duhet të ikin njerëzit, por duhet të ikë qeveria e oligarkëve dhe e propagandës.

Partia Demokratike e ka një ofertë konkrete për rimëkëmbjen ekonomike të biznesit të vogël dhe nxjerrjen e vendit nga kriza.

Qartë dhe thjeshtë:

  1. PA TVSH dhe PA TATIM FITIM për cdo biznes me xhiro vjetore deri ne 140 mijë dollarë. Biznesi vogël do paguajë vetëm një taksë në masën 0.5% të xhiros.
  2. PULLA FISKALE në vitrinë, taksidarët larg biznesit, stop kontrolleve abuzive.
  3. Ulje deri në 40% të cmimit të energjisë elektrike.
  4. Heqje të menjëhershme të taksës Rama mbi karburantet.

PARTIA DEMOKRATIKE ËSHTË GATI TA IMPLEMENTOJË KËTË OFERTË.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb