Nga 1 janari i vitit 2020 të gjithë bizneset të cilët kryejnë shitje të mallrave e shërbimeve te qytetarët do të përdorin sistemin e ri të deklarimit të shitjeve, i cili do të raportojë direkt te serveri i tatimeve.

Zëvendës ministri i financave Elton Haxhi në një intervistë për News24 thotë se kasat aktuale nuk do të dalin jashtë loje por ato do të përditësohen me sistemin e ri.
“Jo, sistemi i ri nuk e përjashton kasën, është një zgjidhje teknologjike e cila i mundëson kompanive të kasave aktuale që të përditësojnë softwaret e tyre në mënyrë që të komunikojnë me sistemin e ri, pra nuk përjashtohet kjo mundësi”, deklaron Haxhi.

Për bizneset e vogla të cilat do të kenë një numër të kufizuar transaksionesh zv. ministri i Financave thotë se ata mund të përdorin programin falas për faturimin elektronik.
“APP falas është një hapësirë në platformën që do ofrojë sistemi i cili mund të përdoret nga një kategori e caktuar biznesesh të cilët kanë një numër të kufizuar transaksionesh dhe ata nuk kanë nevojë që të instalojnë pajisjet fiskale mund të përgatisin faturat e tyre direkt në platformë dhe njëkohësisht fiskalizimi ndodh nëpërmjet platformës. Për këtë kategori e cila siç e thashë do jetë e biznesit të vogël me një numër të kufizuar transaksionesh që do të përcaktohet me anë të VKM nuk do ketë asnjë kosto”, u shpreh Haxhi.

Viti i 2020 është vetëm faza e parë e fiskalizimit. Në vitin 2021, programi i ri do të zbatohet edhe për shitjet që bizneset bëjnë tek njëra-tjetra, ato të cilat sot dokumentohen me faturë fizike TVSH-je. Kuponat fiskale dhe faturat tatimore do të printohen.

“Patjetër që do printoj kuponin. Kuponi do ketë të gjithë elementët e sigurisë që përcakton projektligji të cilët do të vërtetojnë që ky kupon është i fiskalizuar dhe ky është synimi që edhe në fazën e dyte faturat që në fillim të jenë të printuara por ne kemi parashikuar dhe faturat elektronike do kenë një kodifikim i cili do vërtetojë që është i fiskalizuar”, sqaron zv.ministri.
Këto masa të cilat do të hyjnë në fuqi nga data 1 janar e vitit të ardhshëm sipas qeverisë janë të imponuara nga direktivat e Bashkimit Europian dhe komitetit Moneynval si pjesë e luftës kundër pastrimit të parave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb