Nga: KLODIANA HAXHIAJ*

TIRANE – Po udhëtoja me makinë për në Vlorë për të mbyllur bilancin e dyqanit, kur në fshatin Lekaj një motor me dy persona më preu rrugën. Në moment manovrova për të shmangur mjetin, por u përplasa fort me një shtyllë në mes të rrugës. Nuk mbaj mend më asgjë. Vetëm kur u përmenda në urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit mësova se Bujana Bushi kishte humbur jetën. Më erdhi shumë keq për të dhe familjen e saj. Bujanën e njihnin të gjithë pjesëtarët e familjes sime, madje atë e kemi ndihmuar sa herë ka pasur nevojë. Gjashtë ditë pas aksidentit automobilistik të ndodhur në autostradën Kavajë-Rrogozhinë, biznesmeni Kosta Taçi ka dëshmuar në polici. Gjatë marrjes në pyetje, 51-vjeçari ka pohuar me detaje kur është nisur nga Tirana me punonjësen e tij 32-vjeçare, si dhe momentin e parë kur është përplasur në autostradë dhe ku për pasojë mbeti i plagosur rëndë. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë dëshminë e plotë të biznesmenit vlonjat, i cili ndër të tjera ka deklaruar se nuk kishte dijeni se ditën kur ndodhi ngjarja, Bujana Bushi kishte me vete në çantë 100 mijë euro. Ndërkohë, mjekët e spitalit të Durrësit bënë me dije se gjendja shëndetësore e 51-vjeçarit është përmirësuar. Sipas bluzave të bardha, ai ka pësuar traumë në kokë e në bark si dhe shembje të shumta në trup.
Ku u takuat me Bujana Bushin para se të niseshit për në Vlorë?
Bujanën e takova paraditen e së enjtes që shkoi, rreth orës 10:00 në Unazën e Re të Tiranës. Aty kishte dalë dhe po më priste. Kishim për të mbyllur bilancin e dyqanit dhe atë ditë ishte afati i fundit. Do rakordonim me dyqanin që kemi në Vlorë të vëllait. Unë mora makinën e gruas dhe i thashë Bujanës të më priste në trotuar. Në fillim lajmërova bashkëshorten time, të cilës i thashë që do të nisesha për në Vlorë.
Çfarë mbani mend nga aksidenti që ndodhi më 30 korrik në autostradën Kavajë-Rrogozhinë?
Di që në Lekaj doli një motor që më preu rrugën, në korsinë time. Në motor ishin dy persona, të cilët sapo dolën nga karburanti, u futën direkt në autostradë. Bo bo thashë do shtyp dy veta dhe në moment u shmanga për të mos i shtypur. Aty ecet me shpejtësi se është autostradë. Pas shmangies së motorit, mbaj mend që u përplasa me shtyllën në mes të rrugës. Di që përplasja ka qenë shumë e fortë dhe më pas kam rënë në errësirë.
Çfarë mbani mend më pas?
Nuk mbaj mend më asgjë, as që isha përplasur me një taksi, apo që kisha përfunduar në anë të rrugës.
E mbani mend kush ju dha ndihmën e parë?
Jo, nuk mbaj mend asnjë fytyrë, apo kush ishte atje. Di që unë i kam përmendur dikujt numrin e celularit të vëllait tim që ta lajmëronte për aksidentin.
Po kush ju dërgoi në spital e dini?
Jo, nuk e di, as ku kam shkuar në spital, në Durrës a në Kavajë. Nuk e mbaj mend nëse ishte ambulancë, apo makinë tjetër, apo kush ishte me mua. Nuk e dija deri sa jam përmendur këtu në urgjencën e spitalit të Durrësit që kishte ndërruar jetë Bujana Bushi.
Familjarët e Bujanës kanë deklaruar se ditën që ndodhi aksidenti, ajo kishte me vete në çantë 100 mijë euro dhe se paratë janë zhdukur. Ju ishit në dijeni nëse punonjësja juaj kishte para me vete?
Unë nuk di ajo që të ketë pasur para me vete dhe nuk më ka thënë gjë. Ajo ishte financierja jonë, mbante llogaritë e dyqanit, pra ishte punonjësja jonë.
Kishte shfaqur ndonjë shqetësim Bujana Bushi?
Jo, asnjë shqetësim.
Prej sa kohësh njiheshit me të?
U bënë disa vite. Fillimisht, fillimisht e kemi pasur punonjëse në dyqanin tonë te Kthesa e Kamzës dhe më pas ka qenë financierja jonë me kohë të pjesshme, mbante llogaritë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: