I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, biznesmeni Ejup Ahmeti flet për bashkëpunimin e Kosovës me Shqipërinë për eksportimin e prodhimeve shqiptare. Ai tha se Kosova eksporton nga Shqipëria, para produkteve të tjera të rajonit.

“Në vitin 2006 importuam për herë të parë nga Shqipëria, kryesisht nga tregu i Lushnjes. Tregu nuk kishte hapësirë të përmbushte nevojat më të larta dhe erdhën disa kompani e hapën qendrat e tregtimit. Kishim njohuri nga vendet ish jugosllave, themeluam pikat e grumbullimit për produktet bujqësore. 2019 ishte një vit i mbarë, pati certifikim të fermerëve. Jemi kompania e parë në rajon që kemi rritur numrin e fermerëve. Prodhimet shqiptare eksportohen deri në Mbretërinë e Bashkuar. Shqipëria duhet të jetë më atraktive në eksportin e fruta-perimeve”, tha Ahmeti.

Në lidhje me pesticidet, Ejup Ahmeti deklaroi se fermat janë nën kontroll pasi është një zinxhir kontrollues i caktuar që bën analiza dhe mbikqyerje të hedhjes së pesticideve.

“Analizat si kompani i bëjmë jashtë vendit. Kemi zinxhir kontrollues, të caktuar që bëjnë analiza dhe mbikëqyrje të hedhjes së pesticideve në vlera normale në sera. S’ka alarm, duhet të respektohet koha nga spërkatja deri tek vjelja e produkteve. Kemi një masë të madhe të produkteve të certifikuara. Në fillim nuk donin të dëgjonin për produktet shqiptare, dërguam produkte pa pagesë për t’i testuar. Fermerët janë heronj, punën e dytë e kryejnë grumbulluesit. Disa fermerë të papërgjegjshëm nuk investojnë në fermë, në ndihmën e tij. Produktet shqiptare janë padyshim me më shumë shije”, deklaroi Ahmeti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb