Sot bëhen 15 muaj nga dita kur është zhdukur biznesmeni Bedri Rexhepi, por familja akoma nuk ka një përgjigje për fatin e tij. Informacionet të cilat deri tani kanë familjarët janë se Bedri Rexhepi më datën 8 prill 2021 është parë në Novobërdë dhe nga aty më asgjë nuk dihet për të.

I kontaktuar nga KosovaPress, vëllai i Bedriut, Vedat Rexhepi, tha se nuk ka asnjë zhvillim të ri në lidhje me çështjen e biznesmenit të zhdukur përpos arrestimit edhe të një gruaje.

“Nuk ka asgjë të re. Përpos që është arrestuar Arjeta Rukovci, mbesa e të dyshuarit Jeton Vllasaliu, tjetër asgjë, Pra, dy persona aktualisht janë në arrestim për këtë çështje. Sot 15 muaj pa përgjigje”, deklaroi ai për KosovaPress.

Tri javë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës Arjeta Rukovci, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Ndihmë” në kryerjen e veprës penale “Rrëmbimi”, pikërisht që lidhet me rastin e Bedri Rexhepit.

Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës e pati aprovuar si të bazuar dhe të njëjtës i kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të cilën është duke e vuajtur aktualisht.

Familjarët jo pak herë janë shprehur të dëshpëruar në institucione pasi kërkojnë përgjigje për fatin e familjarit të tyre.

KosovaPress në vazhdimësi ka shkruar në lidhje me zhdukjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb