Forcat e Armatosura të Bjellorusisë, kanë bërë me dije se ky shtet do të vendosë trupa të operacioneve speciale në tre zona pranë kufirit të saj jugor me Ukrainën në përgjigje të një “kërcënimi në rritje” nga SHBA dhe aleatët e saj.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre vazhdojnë të ndërtojnë praninë e tyre ushtarake në kufijtë shtetërorë të Bjellorusisë. Fuqia e kësaj force është dyfishuar në gjashtë muajt e fundit. Ngritja e pranisë ushtarake nga aleatët perëndimorë dëshmon për një kërcënim në rritje ndaj Republikës së Bjellorusisë. Bjellorusia po vendos gjithashtu njësi të mbrojtjes ajrore, artilerie dhe raketore për stërvitje në perëndim”, tha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Bjellorusisë, Viktor Gulevich.

Njoftimi vjen pasi presidenti Aleksander Lukashenko tha sot se Moska kishte rënë dakord të ndihmonte Minskun të prodhonte raketa për të rritur aftësitë e saj ushtarake.

Duke folur në një takim të zyrtarëve të mbrojtjes, Lukashenko u citua nga agjencia shtetërore e lajmeve, Belta, të ketë thënë se ngjarjet në Ukrainë kanë treguar rëndësinë e të pasurit trupa me armë dhe furnizime moderne, shumë efektive.

Lukashenko tha se ai fitoi mbështetjen e presidentit rus, Vladimir Putin, për njerëzit e përfshirë në prodhimin e raketave në Rusi për të parë zhvillimet e Bjellorusisë në atë zonë.

Ai tha se ushtria bjelloruse është e gatshme për luftim dhe do të jetë në gjendje të shkaktojë dëme të papranueshme mbi armikun” në rast të agresionit të jashtëm.

“Ne jemi realistë, e kuptojmë se nuk do të mund ta mposhtim NATO-n. Megjithatë, ne i kemi të gjitha armët për të bërë dëme, veçanërisht në territoret nga do të sulmohemi”, është shprehur Lukashenko.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb