Kreu i SPAK Altin Dumani deklaroi sot gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve se Byroja Kombëtare e Hetimit është ende e paplotësuar. Dumani tha se gjatë vitit 2022 ka përfunduar procesi i rekrutimit të 32 hetuesve, duke shtuar se ka ende vende vakante për 3 Prokurorë të Posaçëm dhe 27 punonjës të administratës civile.

“Në lidhje me rekomandimin e përmbylljes së plotësimit të vendeve vakante në SPAK dua të them se gjatë vitit 2022 është përfunduar procesi i rekrutimit të 32 hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke finalizuar në këtë mënyrë, plotësimin e kësaj strukture me emërimin e 60 hetuesve pranë BKH. Sidoqoftë, organika mbetet ende e paplotësuar. Ka ende vende vakante për 3 prokurorë të posaçëm dhe 27 punonjës të administratës civile”, tha Dumani.

Kreu i SPAK deklaroi më tej se bandat shqiptare të trafikut të drogës po sofistikohen çdo ditë e më shumë.

“SPAK i ka kushtuar vëmendje vepra penale në fushën e narkotikëve. Vihet një re një rritje e sofistikimit të grupeve penale dhe ndërveprimi i tyre. Grupet e strukturuara kriminale në Shqipëri konsiderohen nga ndërkombëtarët si grupe me ndikim në tregjet financiare botërore. Këto grupe kanë arritur të kenë qasje të drejtpërdrejt me vendet e origjinës së kanabisit dhe kokainës. Ka një rritje të hetimeve të shtrira jashtë vendit. Është rritur numri i hetimeve dhe është zgjeruar harta e bashkëpunimeve. Tashmë, kryhet edhe hetimi pasuror, në përfundim të të cilit evidentohet cili rast do të aplikohet. Kemi një rritje të numrit të sekuestrimeve dhe konfiskimeve. Janë paraqitur 10 kërkesa për hetime pasurie gjatë 2022 dhe janë konfiskuar katër subjekte”, deklaroi Dumani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: