Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka siguruar se çdo shqiptar do të ketë një adresë banimi të tijën brenda vitit të parë të mandatit të tretë të PS.

Teksa ka shpalosur vizionin e ‘’Shqipëria 2030’’ për sektorin që mbulon, Çuçi ka theksuar se një ndër objektivat ësthë dhe fundi i kaosit në sistemin e adresave.

Ai gjithashtu siguron se aleati i qeverisë mbeten njerëzit e zakonshëm, dhe shton se Policia e kësaj dekade do të jetë model në të gjitha drejtimet duke arritur mesataren europiane.

 

‘’Aleati ynë mbeten njerëzit e zakonshëm. Policia këtë dekadë do jetë model, për sjelljen me ju, reagimin, polici komunitare ku njerëzit do të jenë të përfshirë në sigurinë e përbashkët.

Sot jemi ulur karshi partnerëve e agjencive europiane, nesër marrim drejtimet e operacioneve të përbashkëta për trafiqe e aktivitete kriminale. Kemi afruar 3 mijë të rinj e të reja në Polici. Do të ruajmë këtë trend të ri pozitiv, duke arritur në mesataren e BE. Vizioni ynë do të marrë jetë me infrastrukturë e logjistikë si asnjëherë më parë.

Do e bëjmë territorin ,rrugët e jetët tona më të sigurta. Do sofistikojmë më tej shërbimet dhe kufirin. Pikat kufitare janë fytyra e parë e miliona turistëve në vendin tonë. Pas 3 dekadave kaosi me sistemin e adresave, do të dijë kush jeton ku, për të rinovuar marrëdhënien me qytetarin, çdo qytetar do të ketë një adresë brenda vitit të parë të mandatit të tretë.’’- tha Çuçi.

 

Po ashtu Çuçi ka premtuar se mandati i tretë fillon me sjelljen e dronëve superinteligjentë për monitorimin e territorit. Në vazhdën e operacionit për shembjen e ndërtimeve pa leje, ministri thotë se do të marrë fund epoka e zaptimit, pavarësisht mbiemrit, fuqisë apo për kë voton personi.

“Kjo nuk është as retorikë as inerci, por çka po them është e mbështetur në përgatitjen për të bërë një kapërcim historik për të cilin mjafton t’ju jap një shembull: Këtë rrugë e kemi nisur me zëvendësimin e makinave që nuk ndizeshin dhe i shtynin policët. Në këtë mandat të tretë do e nisim me sjelljen në Shqipëri të dronëve super inteligjentë. Shqipëria do të hyjë modestisht për nga sasia, por edhe njësoj për nga cilësia, në rendin e vendeve me teknologji më të avancuar në këtë drejtim.

Ne do të shtrimë fuqinë e revolucionit dixhital në të gjitha strukturat e zbatimit të ligjit, ku përmes kapaciteteve të inteligjencës teknologjike, do të kontrollojmë me precizion çdo metër katror të territorit të Shqipërisë. Do të marrë fund epoka e zaptimit, pavarësisht mbiemrit apo fuqisë që ke ose për kë voton. Asnjë tolerancë! Me tekonlogjinë do bëjmë të mundur kontrollin e territorit dhe të kufirit, për parandalimin e çdo forme paligjshmërie, nga trafiqet, tek kultivimi i bimëve narkotike”, tha Çuçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb