Bledi Çuçi ka dorëzuar sot zyrtarisht çelësat e Ministrisë së Bujqësisë, për të marrë detyrën e re si ministër i Brendshëm.

Në një mesazh në “Facebook”, Çuçi thekson se i ka dorëzuar detyrën Milva Ekonomit, ndërsa rendit edhe sukseset që kjo Ministria e Bujqësisë ka arritur gjatë kohës që drejtohej prej tij.

Mesazhi i Çuçit:

I dorëzova sot detyrën e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zonjës Milva Ekonomi, koleges dhe bashkëpunëtores time të vjetër, me të cilën punuam një vit më parë edhe në hartimin e Raportit të Vlerësimit të Nevojave pas Tërmetit. Jam shumë i kënaqur që këto dy vite në drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, arritëm të shtojmë mbështetjen për fermerët dhe të ndërmarrim nisma e reforma me impakt të madh në zhvillimin rural. Prej vitit të ardhshëm fermerët do të përfitojnë naftë pa taksa për punimet në bujqësi.

Shërbimi Veterinar po riorganizohet pas ndryshimeve ligjore dhe do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, duke iu dhënë mundësi mbi 400 veterinerëve të jenë pjesë e këtij shërbimi kaq shumë të rëndësishëm. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është ka hyrë në një fazë ristrukturimi që natyrisht kërkon kohën e vet. Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë akreditoi gjatë vitit 2020 plot 49 teste të reja analizash nga 53 të tilla që ka pasur deri në vitin 2019. Kjo do të thotë më shumë besueshmeri për operatorët e biznesit ushqimor dhe konsumatorët.

Edhe në një vit të vështirë për shkak të pandemisë së Covid 19, bujqësia ishte sektori që performoi më mirë. Tregues domethënës dhe provë e pakundërshtueshme e këtij fakti janë eksportet produkteve bujqësore, me rritje dyshifore. Dhe jo vetëm kaq, por harta e shteteve ku eksportohen produktet tona bujqësore u zgjerua me tregje të reja. Sigurisht që kjo nuk është e rastësishme, por fryt i politikave mbështetëse të qeverisë. Implementimi i Programit IPARD II është gjithashtu një histori suksesi më vete.

Miliona euro të bashkëfinancuara nga BE dhe qeveria shqiptare janë investuar dhe po investohen në sektorin rural dhe agropërpunim, duke hapur vende të reja pune, duke rritur prodhimin dhe konkurrueshmërinë e produkteve tona bujqësore. Përfunduam markatën e peshkimit në Shëngjin, një hapësirë e kompletuar me të gjitha kushtet dhe standardet për peshkatarët dhe tregtarët. Po punohet ndërkohë për markatën e Vlorës e më pas do të hapen kantieret për Durrësin e Sarandën.

Shpreh bindjen se ministrja e re, Milva Ekonomi, do të çojë përpara punët në këtë sektor kaq të rëndësishëm për ekonominë shqipare, që kontribuon me mbi 20% në GDP-në e vendit, si dhe do të dijë të adresojë më së miri sfidat me të cilat ndeshen fermerët, agropërpunuesit, operatorët e biznesit ushqimor dhe konsumatorët.

Nuk dua të bëj zinxhirë lëvdatash, që me siguri as ju s’do të donit t’i lexonit prej meje, por falënderoj gjithë bashkëpunëtorët e mi në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për këto dy vite, duke nisur nga zv.ministrat, kabineti, drejtuesit brenda dikasterit dhe institucionet e tjera të varësisë, si dhe çdo punonjës që është përkushtuar në përmbushjen e detyrave funksionale. Pa kontributin tuaj të çmueshëm nuk do të ishte e lehtë as për mua. Mirënjohje për secilin prej jush!
Shumë suksese për Milvën!?

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: