Bledi Strakosha rrëfeu te Ola për fillimet e veta në gazetari dhe se si e gjitha nisi krejt rastësisht. Ai tha se babai i tij punonte si violinçelist në RTSH, dhe se Bledi e shoqëronte gjithmonë.

E teksa i ati regjistronte, Bledi e priste në korridoret e RTSH-së, ku dhe pati mundësinë të takohej me nje gazetare, e cila e ftoi në studion ku regjistrohej një nga formatet e asaj kohe. Ai tregoi se angazhimet në radio i kishte nisur dhe gjithashtu realizonte edhe një format për fëmijë, por erdhi koha që të futej në emocione të tjera, dhe realizoi emisionin e tij të parë si autor në vitin ‘95, i cili ishte live dhe mbante titullit “Yje dhe tinguj”.

Bledi ka një karrierë të gjatë televizive dhe në program u shfaqën fotografi të ndryshme që janë realizuar gjatë karrierës së tij të suksesshme.
Gazetari zbuloi se periudha e tij e artë ka qenë në televizionin Arbëria në vitet 1997-2003, ku ka realizuar disa formate, të cilat ishin risi për kohën.

Ndërkohë që programi “Natën vonë” në televizionin Klan ka qenë më i ndjekuri dhe ka lënë gjurmë të publiku, pasi u realizua për 4 sezone, ku intervistoi gjithë “ajkën” e vendit.

Bledi, teksa u pyet nga Stefi se çfarë ka ndryshuar që nga koha që ai ishte në fillimet e karrierës, tha se dikur ka patur më shumë shpresa, ndërkohë tani realiteti duket më i ashpër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb