Ministri i Mirëqenies sociale Blendi Klosi ishte i pranishëm sot në Muzeun Kombëtar në Tiranë në aktivitetin “Praktika Kombëtare e Punës” sëbashku me të rinjtë që kishin aplikuar për punë në administratë.

Klosi tha se numri i kërkesave për punësim në administratën publike ishte dyfishuar këtë vit në dallim nga viti i kaluar.

Ai vlerësoi të rinjtë, për energjinë dhe aftësitë e tyre, si elementet kryesore për të përballuar sfida të panjohura më parë për administratën publike shqiptare. Klosi tha se puna në administratë merret me meritë dhe jo siç opozita akuzon se merret me mik.

“Sa herë përmendin punën në administratë kemi akuza nga opozita, që puna merret me mik dhe jo në bazën e meritës. Në konkurset për punë pjesëmarrja ka qenë e madhe. Të përzgjedhurit kanë fituar pas një serie hallkash e provash. Shoh shumë të rinj. 1 vit më parë kishte 2000 të rinj, nga të cilët 200 fituan kontratën 1 vjeçare të punës, këtë vit jemi shumë më shumë, sepse është përhapur fjala që është projekt real, për ata që kanë shprehur dëshirën dhe janë treguar të gatshëm për punë. Është kuptuar se vetëm aftësia dhe kualifikimi, dhe qenia e denjë për administratën të bëjnë sot një administrator të lartë publik. Kemi pasur një projekt të mirë për hapjen e konkursit për të rinjtë e diasporës. Mbi 3 mijë të rinj, shqiptarë të Shqipërisë dhe diasporës, kanë konkuruar . Kemi sot një administratë që kaloi testin për efektivitetin e saj, kemi treguar se kemi administratë që është e gatshme për sfida, është betejë që do mbështet nga kaq shumë djem e vajza, nga energjia dhe aftësia juaj për të përballuar sfida që kanë qenë të panjohura për administratën publike shqiptare,” tha Klosi.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb