Nga: VALENTINA MADANI*

TIRANE- Blerim Çela, themelues i Partisë Demokra tike dhe një prej njerëzve më aktivë të saj, hedh akuza të forta mbi lidershipin e partisë, që sipas tij, për shkak të interesave personale e çuan PD-në drejt humbjes së thellë të 21 qershorit. Z.Çela thotë për “Gazeta Shqiptare” se PD-ja është shkëputur nga demokratët e vërtetë dhe se Lulzim Basha është i pafuqishëm për ta drejtuar atë. Ai përmend një SMS drejtuar z.Basha gjatë zgjedhjeve të brendshme të partisë për individë që, sipas tij, nuk duhej të ishin as anëtarë partie e jo më të bëheshin pjesë e strukturave të larta të saj. Blerim Çela apelon për rithemelim të PD-së, pasi vetëm në këtë mënyrë ajo mund të ringrihet për t’u rikthyer në pushtet ndërsa apelon demokratët e vërtetë që të ngrihen dhe të largojnë sipas tij uzurpatorët e PD-së.

Z.Çela, pse një humbje kaq e thellë për PD-në si ajo e 21 qershorit?
PD-ja u kthye në një parti autokratike, që u largua nga baza e partisë, u largua nga njerëzit e saj, nga demokratët e vërtetë. PD-ja humbi se u kthe në një parti të majtë, siç është LSI-ja, duke e humbur besimin si një parti e djathtë. Nga aleanca me LSI-në, PD-ja tregoi se nuk ka më ideale të djathta, por problem pushteti, duke i lënë njerëzit e thjeshtë rrugëve, duke i braktisur demokratët e vërtetë. PD-ja i la ata pas dore, të papunë, sepse vendet e tyre i zinte LSI-ja. Për PD-në dhe Berishën e klanin e tij që e rrethonte, i rëndësishëm ishte vetëm pushteti, mirëqenia e tyre dhe jo demokratët e thjeshtë, ata të cilët i dhanë shumë kësaj partie ndër vite. Ata menduan vetëm si të shtojnë pasurinë e tyre dhe jo të popullit, me të cilin i shkëputën të gjitha lidhjet. Nuk menduan për zhvillimin e ekonomisë, punësimin e njerëzve apo problemet e tjera, si luftën kundër korrupsionit. PD-ja erdhi në pushtet me kartën e luftës kundër korrupsionit, me besimin se do ta luftonte atë, por nuk e justifikoi atë. Përkundrazi, e shkeli këtë kartë, u bë e papëlqyeshme për vetë demokratët, të cilët u larguan me mijëra nga PD-ja, me mijëra të tjerë shkuan te LSI-ja për lidhje personale, me besimin se do të gjenin një vend pune. Një gjë e tillë nuk kishte asnjë rëndësi për PD-në dhe krerët e saj, të cilët mendonin vetëm e vetëm si të pasuroheshin vetë dhe t’u jepnin pushtet e grada edhe lakenjve të tyre që i mbanin përreth, dhe jo demokratëve të vërtetë.
Ju e quani një kosto të madhe të humbjes së PD-së aleancën me LSI-në, por më 21 qershor PD-ja nuk garoi me LSI-në dhe tashmë demokratët kanë një kryetar tjetër, Lulzim Bashën…
E thashë edhe më lart: humbi sepse në vitin 2009, kur PD-ja bëri aleancën me LSI-në, humbi besimin për të qenë forcë e djathtë. Kush e besonte PD-në me në krye Berishën dhe “de jure” Lulzim Bashën?! Pavarësisht se nuk u duk në fushatë, se nuk ishte pjesë aktive e fushatës elektorale, Berisha e drejton PD-në, madje me dorë të fortë, ndaj dhe PD-ja erdhi në këto ditë që është sot. Lulzim Basha nuk duhet të jetë më kryetar partie, jo se është i pafatë, por sepse ai nuk doli kryetar i kandiduar nga baza por u përzgjodh nga z.Berisha. Kjo zgjedhje iu imponua antarësisë së PD-së për t’u votuar, praktikë kjo e zbatuar edhe në raste të tjera të PD-së. Nëse duhet një PD e vërtetë, duhet të ketë një kryetar të vërtetë e jo të emëruar pavarësisht votimit i cili ishte i paracaktuar dhe kandidatura e të ndjerit Sokol Olldashi ishte vetëm fasadë. Këto praktika duhet të marrin fund në atë që sot quhet Partia Demokratike por që vetëm bazën dhe idealistët ka demokratë, pasi prej shumë vitesh është kthyer në parti të 1-shit dhe e tillë ka mbetur pasi z.Basha është vetëm interpret i mendimeve të 1-shit në hije. Koha vërtetoi se Basha nuk pati fuqi të bëhej 1-ësh prandaj duhet të hapë krahun për ristrukturim të thellë ose rithemelim të PD-së pa anashkaluar figurat e larguara nga kjo parti që kanë dhënë shumë për PD-në e demokracinë e vërtetë shqiptare. Në PD duhet të praktikohet mendimi ndryshe, debati dhe funksionimi i forumeve dhe ststutit të partisë por me Bashën dhe Berishën, PD-ja do të kthehet në një miniparti që do të shuhet. Demokratët e vërtetë duhet të lëvizin, të bashkohen, e largojnë uzurpatorët e PD-së që e kanë katandisur në këtë gjendje të mjerueshme ku strukurat në bazë janë inekzistente.
Shqipëria ka nevojë për një të djathtë të vërtetë. E përsëris PD-ja ka nevojë të rithemelohet, nëse e lejon z.Berisha me vullnetin e tij pa u përzier në këtë zgjidhje. Shqipëria ka nevojë për një të djathtë moderne dhe jo konfliktuale.
Ju besoni se z.Berisha drejton ende Partinë Demokratike?
Sa të jetë gjallë, ai njeri do ta drejtojë PD-në.
Ju, nuk i njihni asnjë meritë z.Berisha në krye të PD-së?
PD-ja ka pasur qeverisje të mirë me Berishën vetëm gjatë viteve ’91-’96 që nga përbërja e një sistemi të ri ekonomik e social, legjislacion të ri, administratë të re shtetërore. Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Evropës, Anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave etj.
Dhe që atëherë PD-ja nuk diti t’i qeverisë mirë shqiptarët?
Me rikthimin në pushtet, në vitin 2009-2010, nuk u punua keq. U bë një punë e mirë në infrastrukturë, u ndërtuan shumë rrugë, u bënë disa reforma të mira, por të gjitha këto u rrëzuan më vonë, sepse Berisha dhe klani i tij menduan për pushtetin e tyre, vetëm e vetëm se si të pasuroheshin për vete.
Kush ishte klani i tij?
Dihet shumë mirë kush janë emrat. Ata që bënin pjesë në kryesinë e vogël. Jo të gjithë, por nënkryetarët, Sekretari i Përgjithshëm dhe sekretarët e tjerë. Nuk mund të them edhe gjithë kryesia apo Këshilli Kombëtar, sepse në këto të dy forume kishte njerëz që punonin me nder dhe përkushtim për atë parti. Madje Këshillin Kombëtar e bëri inaktiv, pasi gjithçka, çdo vendim merrej nga ky klan, që problem kryesor kishte se si të shtonte pasurinë. Madje kjo skemë funksiononte edhe në rrethet e tjera të vendit. Berisha kishte njerëzit e tij në të gjitha degët e tjera të PD-së. Ndaj, si mundet që shqiptarët të besonin Sali Berishën dhe ta votonin?! I kishte braktisur demokratët e vërtetë!
PD-ja ka kaluar procesin e ristrukturimit dhe në krye të PD-së ka emra të tjerë…
Në PD, janë ngjitur njerëz që as anëtarë partie nuk duhej të ishin, jo më të bëheshin pjesë e strukturave të saj. Por një gjë e tillë është bërë e qëllimshme, që të mbrohet Berisha dhe klani i tij. Duke qenë se e njoh PD-në dhe njerëzit e saj që në ditët e para të krijimit të saj, unë e ndjek bazën e partisë dhe e di se çfarë ndodh. Madje, gjatë zgjedhjeve të brendshme të partisë, unë i kam çuar edhe SMS zotit Basha.
Për çfarë ia çuat SMS-në zotit Basha?
I kam çuar mesazh dhe i kam thënë për disa individë që nuk duhej të ishin as anëtarë partie, jo më të zgjidheshin në parti.
Dhe cila ka qenë përgjigjja e tij?
Z.Basha nuk më ktheu asnjë përgjigje. Nuk i vë faj për këtë, sepse Berisha drejton me dorë të fortë PD-në dhe ai nuk ka asnjë fuqi në parti. Basha po përpiqet të heqë disa individë, por nuk mundet, sepse nuk e lënë, pasi ata mbrojnë Berishën dhe interesat e tij. Ndaj dhe Lulzim Basha rri kot në krye të Partisë Demokratike. Partinë e drejton Sali Berisha. PD-ja është tkurrur shumë.
Dhe si mund të ringrihet PD-ja?
Partia Demokratike duhet të rithemelohet, të ristrukturohet, të bëhet parti e vërtetë e djathtë. Një gjë e tillë duhet të bëhet pa pjesëmarrjen e Sali Berishës dhe klanit të tij. Berisha qëndron në hije, pas kryetarit. PD-ja vazhdon me berishizmin. Dhe kur kryetari nuk ka liri veprimi të veprojë të drejtojë, të udhëzojë, të marrë mendimin e kryesisë dhe ta diskutojë lirisht pa pasur indikacione të tjera, nuk mund të presësh prej tij një drejtim të pavarur. PD-ja duhet të largohet nga berishizmi, si një formë drejtimi autokratik, antidemokratik dhe nepotik, madje dhe klientelist, që ushqeu korrupsionin politik dhe ekonomik. Në të kundërt, PD-ja do ta ketë të largët kthimin në pushtet. Mua më vjen keq për këtë situatë të krijuar me PD-në. Unë jam njeri i qendrës së djathtë dhe që opozita të fuqizohet, duhet të zhvillojë opozitarizmin, duhet të ngrejë problematika të shumta dhe opozitën në Shqipëri nuk duhet t’ia lërë që ta bëjë Erjon Braçe. Shoh me keqardhje që në Partinë Demokratike nuk ka gjak, nuk ka zjarr, sepse atë zjarr që kishte e fashiti LSI-ja. Ndaj duhet një reformim i partisë, një rithemelim, një rifreskim i saj, që të vijë sa më shpejt pranë qytetarëve, pranë demokratëve të vërtetë dhe vetëm në këtë mënyrë do të mund të bëhet sërish parti qeverisëse.
Kohët e fundit po flitet për mundësinë e një koalicioni PD-PS. A e shikonitë munshshëm…
Aleanca PS-PD nuk i shton vlerat PD-së, përkundrazi iu ul ato më shumë sesa e zhvletësoi aleanca me LSI-në. E njëjta gjë do të ishte edhe për PS-në e cila do të zhvletësohej si parti e qëndrës së majtë. Pavarësisht këtij problemi moral të këtyre dy forcave politike, politika shqiptare do të kishte një periudhë që do të kishte një përfitim pasi do të shuhej LSI si forcë politika e cila futi praktikën e blerjes së votës dhe ç’ekuilibroi dy forcat e mëdha duke u bërë një faktor negativ në luftën principiale të së majtës me të djathtën, duke u hedhur nga njëri krah në tjetrin për interesa vetjake. Për mendimin tim sot nuk flitet për ndryshime thelbësore të programeve të të dy forcave politike se ndryshimet janë të vogla, por tek e majta shikoj një rikthim të bijve të etërve që sunduan Shqipërinë për 50 vite, çka i ul vlerat një partie moderne të së majtës shqiptare. Këta djem dhe vajza vijnë nga familjet e kastës sunduese komuniste, kanë vlerat e tyre personale dhe intelektuale por kurresesi nuk duhej të ishin në poste drejtuese partiake dhe shtetërore por detyra specialistësh. Shoqëria shqiptare është tradicionale dhe reminishencat e së kaluarës përcillen fort nga brezi në brez. Kjo është një arsye që nuk mund të lejojë një aleancë PD-PS, pavarësisht të mirave që sjell me spostimin e LSI.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: