Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE – Bllokohen 100 mijë euro të dyshimta pas blerjes së një “Ferrari”. Prokuroria e Elbasanit ka vendosur sekuestron preventive për një llogari bankare në emër të P. Çelës, pasi dyshohet se kjo shumë ka burim të dyshimtë financiar. Organi i akuzës sqaron se ka qenë personi me inicialet A. Toli ai që ka pasur shumën e parave, dhe më pas me to ka blerë një makinë “Ferrari”, të cilën e ka pasur në pronësi P. Çela. Nga hetimet e deritanishme, rezulton se blerësi i “Ferrarit” ka pasur vetëm një biznes të vogël familjar, me të cilin nuk e vërteton dot shumën e parave që ka pasur.
Dosja
Sipas dosjes së organit të akuzës, Policia e Elbasanit në rrugë të ndryshme zyrtare dhe ligjore ka siguruar informacion se A. Toli, brenda një intervali kohor nga vitet 2009 deri në 2014-ën, ka kryer transaksione në vlera të ndryshme monetare, që variojnë në shuma nga 1 000 000 lekë në 3 000 000 lekë, të cilat kryesisht kanë qenë derdhje dhe tërheqje të vlerave monetare në cash. “Së fundmi, më datë 06.08.2015, A. Toli ka depozituar në një nga bankat e nivelit të dytë në vend një shumë prej 100 000 eurosh, dhe këtë shumë e ka transferuar po në këtë datë në llogarinë bankare të shtetasit P. Çela. Ky transaksion është kryer në një bankë të nivelit të dytë, me përshkrimin si pasojë e një veprimi të kryer në bazë të kontratës noteriale datë 06.08.2015. Referuar kësaj kontrate, të dhënat që na ofrohen janë se A. Toli, ka blerë më datë 06.08.2015, një automjet të markës ‘Ferrari’, tipi LJ 65, ngjyrë e kuqe, viti i prodhimit 2009, në vlerën e 100 000 eurove. Shitësi i këtij automjeti është P. Çela. A. Toli rezulton të jetë regjistruar si person fizik pranë Qendrës Kombëtare të R regjistrimit, QKR-së, me aktivitet lojëra kompjuterike për fëmijë, Elbasan. Ndërkohë, familjarët e tij nuk rezultojnë të jenë ortakë të ndonjë shoqërie”, citohet në dosjen e prokurorisë. Më tej, aty argumentohet se kjo shumë parash nuk argumentohet me të ardhurat që fitonte nga biznesi A. Toli.
“Në bazë të ligjit Nr. 9632, datë 30/10/2006, ‘Për sistemin e taksave vendore’, çdo subjekt, i cili kryen një biznes, me anë të të cilit realizohet gjatë vitit fiskal qarkullim më i vogël ose i barabartë me 8 000 000 lekë, i nënshtrohet detyrimit të pagesës së tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël. Të ardhurat gjithsej nga veprimtaria e biznesit të vogël nënkuptojnë çdo lloj të ardhure të realizuar gjatë periudhës tatimore, dhe përfshijnë, pa u kufizuar vetëm në to: të ardhurat e realizuara nga furnizimi i mallrave dhe shërbimeve, të ardhurat nga pjesëmarrjet, të ardhurat nga interesat, të ardhurat nga shfrytëzimi i pasurisë së luajtshme e të paluajtshme.
Të ardhurat që shtetasi A. Toli, sipas ligjit duhet të jetë krijuar në një vit, nuk mund të jenë më të mëdha sesa shuma prej 8 000 000 lekësh, ndërkohë që siç rezulton, ai bën një shpenzim në shumën e 100 000 eurove, për blerjen e një sendi luksi. Është krejtësisht i pajustifikueshëm ky shpenzim i bërë nga ana e shtetasit A. Toli, referuar aktivitetit të tij tregtar, qenies kryefamiljar, në një familje me katër anëtarë”, sqaron prokuroria në materialin e saj. Ndërkohë, rezulton se Toli ka në pronësinë e tij edhe tri automjete të tjera, që janë konkretisht: tip “Crysler ML” 270 CDI; tip “Volksëagen Passat”; tip ML 270 CDI. Ndërsa djali i tij, Xh. Toli, ka një automjet tip “Peugeot 206” dhe djali tjetër, A. Toli, ka në pronësi automjetin tip “Volksëagen”. Sipas prokurorisë, në pronësi të Tolit janë edhe dy objekte banimi, një në Elbasan dhe një në Tiranë, në rrugën “Muhamet Gjollesha”. “Ndodhur në këto kushte, vlerësohet se ekziston një dyshim i arsyeshëm i mbështetur mbi prova dhe indicie, se nga ky shtetas, të jetë konsumuar vepra penale e ‘pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Si vepra penale kriminale, që dyshohet të jenë në bazë të krijimit të këtyre të ardhurave të paligjshme, janë ato të fshehjes së të ardhurave dhe lidhjeve të tjera, të cilat po verifikohen”, mbyllet dosja e organit të akuzës.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: