Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili ndodhet në Lindjen e Mesme, premtoi të martën në Jeruzalem se Uashingtoni do të grumbullojë mbështetje për rindërtimin e Gazës, si pjesë e përpjekjeve për fuqizimin e armëpushimit midis Hamasit, organizatës islamike që dominon Gazën, dhe Izraelit.

Ai u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe pritet të takohet sot në Ramallah me Presidentin Palestinez të mbështetur nga Perëndimi, Mahmoud Abbas.

Sekretari Blinken e filloi vizitën e tij në Jeruzalem, ku pati bisedime me Kryeministrin Netanyahu.

“Ne e dimë se për të parandaluar një kthim të dhunës duhet të përdorim hapësirën e krijuar për të trajtuar një grup më të madh çështjesh dhe sfidash të cilat qëndrojnë prapa saj. Dhe kjo fillon me trajtimin e situatës së rëndë humanitare në Gazë dhe me fillimin e rindërtimit,” tha zoti Blinken.

Shtetet e Bashkuara, tha ai, do të punojnë për të grumbulluar mbështetje ndërkombëtare rreth këtyre përpjekjeve dhe për të dhënë “kontributin e tyre të rëndësishëm”.

“Ne do të punojmë nga afër me të gjithë partnerët tanë, për të garantuar se Hamasi nuk do të përfitojë nga ndihma e rindërtimit,” tha sekretari Blinken.

Udhëheqësi izraelit, Benjamin Netanyahu, duke folur në krah të diplomatit të lartë amerikan, kërcënoi për një “kundërpërgjigje shumë të fuqishme” nëse Hamasi rifillon sulmet me raketa.

Zoti Blinken do të jetë në rajon deri të enjten dhe do të vizitojë gjithashtu Egjiptin dhe Jordaninë. Në koordinim me vizitën e tij, autoritetet izraelite lejuan që karburantet, ilaçet dhe ushqimet e destinuara për sektorin privat të Gazës të hynin në këtë territor për herë të parë që nga fillimi i luftimeve më 10 maj./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb