Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken vuri në dyshim seriozitetin e Rusisë dhe Kinës, për arritjen e paqes në Ukrainë. Ai përmendi mungesën e hapave thelbësorë për të mbështetur qëndrime që do të konfirmonin ndonjë përpjekje reale për paqe.

Duke folur gjatë një vizite në Uzbekistan, zoti Blinken u tha gazetarëve se nëse Rusia do të ishte vërtet e përgatitur të angazhohej në diplomaci kuptimplotë, për t’i dhënë fund agresionit të saj, atëherë Shtetet e Bashkuara do të përfshiheshin me shpejtësi në këtë përpjekje. Por, tha më tej ai, veprimet e Rusisë, duke përfshirë kërkesën e Presidentit Vladimir Putin që Ukraina të njohë aneksimin nga Moska, të një pjese të territorit të saj, tregojnë se Rusia nuk është e interesuar për paqe.

“Çështja kryesore që shtrohet është nëse Rusia do të arrijë në një pikë, ku ajo të tregojë se është vërtet e përgatitur për t’i dhënë fund agresionit të saj dhe ta bëjë këtë në një mënyrë që është në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe parimet e saj”, tha ai.

Sekretari Blinken tha se propozimi kinez për paqe përmban disa elemente pozitive, duke përfshirë disa që gjenden në planin e paqes të vetë Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Por zoti Blinken tha nëse Kina do të ishte serioze në lidhje me thirrjen e saj për të mbështetur sovranitetin e të gjitha kombeve, atëherë vitin e kaluar e ka pasur mundësinë të punonte në mbështetje të sovranitetit të plotë të Ukrainës përballë agresionit të Rusisë.

Ai tha se Kina ka bërë të kundërtën, përfshirë avancimin e propagandës ruse dhe duke krijuar bllokada në favor të Rusisë në organizatat ndërkombëtare, si dhe duke shqyrtuar mundësinë për dërgimin e armëve të zjarrit, forcave ruse, për t’i përdorur ato në Ukrainë.

Zyrtarët ukrainas i cilësuan luftimet të martën rreth qytetit lindor të Bakhmutit si intensive, megjithëse ka pak ndryshime në kontrollin e territorit mes forcave të Moskës dhe Kievit.

“Situata më e vështirë paraqitet në Bakhmut dhe në betejat që janë të rëndësishme për mbrojtjen e qytetit”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në fjalimin e tij mbrëmjen e së martës.

“Rusia nuk do t’ia dijë fare për ushtarët, duke i dërguar ata të sulmojnë vazhdimisht pozicionet tona. Intensiteti i luftimeve po vetëm rritet”.

Presidenti Zelenskyy tha se komandanti ukrainas i ngarkuar për mbrojtjen e Bakhmutit, gjeneral koloneli Oleksandr Syrskyi, raportoi se 800 trupa ruse janë vrarë në atë zonë që nga e enjtja.

Më herët të martën, gjeneral kolonel Syrskyi shkruante në rrjetet sociale: “Pavarësisht se ka përjetuar humbje të konsiderueshme, armiku ka dërguar njësitë e tij më të stërvitura, ato të grupit Wagner në përpjekje për të thyer mbrojtjen e trupave tona dhe për të rrethuar qytetin”.

Grupi Wagner, është një njësi paraushtarake ruse që lufton përkrah trupave të Moskës.

Rusia ka intensifikuar sulmet e saj në disa zona në Ukrainën lindore, duke përfshirë Bakhmutin, qytetin e rrënuar ku dikur jetonin 75,000 njerëz.

Luftimet për muaj të tërë janë përqendruar në qytetet dhe fshatrat përreth Bakhmutit, me Moskën që po përpiqet të rrethojë qytetin për të ndërprerë rrugët e furnizimit të Ukrainës.

Pasi dështoi një vit më parë për të marrë me shpejtësi Kievin, kryeqytetin ukrainas, në ditët më të hershme të luftës, Rusia e ka përqendruar luftën, në rajonin lindor të Donbasit. Të dyja palët kanë pësuar humbje të mëdha në luftë.

Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, një organizatë studimore me seli në Uashington, tha në një raport të ri të martën se 60,000 deri në 70,000 trupa ruse janë vrarë vitin e fundit, duke pësuan numrin më të madh të humbje në mesin e trupave ushtarake, krahasuar me të gjitha konfliktet ku Rusia ka marrë pjesë, që nga Lufta e Dytë Botërore, përfshirë luftimet në Çeçeni dhe Afganistan./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: