Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të premten se do të udhëtojë në Katar të dielën për t’u takuar me udhëheqësit e këtij vendi dhe për t’i falënderuar ata për ndihmën e tyre me të evakuuarit nga Afganistani. Më pas ai pritet të udhëtojë drejt Gjermanisë.

Zoti Blinken tha në një konferencë për shtyp në Departamentin e Shtetit se do të takohej me shtetasit afganë dhe ata punëtorë në kryeqytetin e Katarit, në Doha “të cilët po bëjnë një punë vërtet heroike gjatë gjithë kohës”.

Ai tha se do të shkonte në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, ku gjithashtu do të takohej me shtetas afganë. Po në Gjermani do të mbahet dhe një takim i ministrave të më shumë se 20 vendeve partnere, që kanë marre pjesë në operacionin për zhvendosjen dhe strehimin e afganëve.

Zoti Blinken tha gjithashtu se qeveria amerikane po mbante kontakte me talebanët. “Ne vazhdojmë të mbajmë kanale komunikimi me talebanët, për çështje që janë të rëndësishme“, tha zoti Blinken.

Departamenti i Shtetit ishte “në kontakt të vazhdueshëm” me “amerikanët e mbetur në Afganistan të cilët ende dëshirojnë të largohen prej andej, tha zoti Blinken.

Ne kemi përcaktuar ekipe të posaçme për secilit prej këtyre qytetarëve amerikanë që të jenë në kontakt të vazhdueshëm me ta. Ne po u sigurojmë atyre udhëzime shumë specifike“, tha ai.

Sipas zotit Blinken pothuajse të gjithë ata që kanë mbetur në Afganistan kanë shtetësi të dyfishtë.

Nuk është për t’u habitur që të vendosësh nëse do të largohesh apo jo nga vendi që ata e quajnë shtëpi, është një vendim i vështirë“, tha ai.

Zoti Blinken përshkroi gjithashtu përpjekjet e departamentit që kur Presidenti Joe Biden mori detyrën në janar, për të shpejtuar përpunimin e vizave speciale për afganët të cilët kanë punuar me ushtrinë amerikane gjatë luftës 20-vjeçare, mijëra prej të cilëve ndodhen ende në Afganistan.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb