TIRANË – Etiketat “Made in Albania” mbi prodhimet bujqësore, që tashmë janë ndaluar të hyjnë në Rusi, janë falsifikuar në një vend fqinj të Rusisë dhe jo në Shqipëri. Madje, ky fakt tashmë është verifikuar edhe nga administrata ruse.

Zv.ministri i Bujqësisë, Alban Zusi, në një intervistë në studion e “News 24”, deklaroi se falsifikimi, që i është bërë etiketave, është njësoj me falsifikimin që dikush mund t’i bëjë pasaportës të dikujt tjetër për të hyrë në SHBA; natyrshëm në këtë rast, pala shqiptare nuk mban përgjegjësi, ashtu siç nuk mund të mbajë përgjegjësi për paaftësinë e inspektimit rus për të dalluar falsifikimin. Gjithsesi, vuri në dukje ai gjatë intervistës, administrata ruse e ka dalluar falsifikimin e bërë jo nga Shqipëria, pasi rezultojnë prova për këtë.

Por, duhet thënë, – shtoi më tej Zv.ministri, – se eksportet drejt tregut rus s’janë aq të rëndësishme për vendin tonë, pasi koha e transportit është shumë e gjatë, rreth 1 javë dhe krijon probleme në qarkullimin e produkteve të freskëta, si domate, kastraveca, hurma etj. Në këto kushte, bllokimi i hurmave për shembull, krijon probleme, por nuk është aq i rëndësishëm sa eksporti i prodhimit të rreth 1 mijë ha serave. Madje, prodhuesit shqiptarë thonë se edhe sikur të kishim 6 mijë ha me sera, prodhimin do ta kishin të shitur në vendet e rajonit, Kosovë, Maqedoni, Bullgari etj.

Megjithatë, për bllokimin e tregut rus,- tha Zusi në përfundim, -edhe sot ministri Panariti ka pasur takim me ambasadorin rus, ku si dhe më parë, ka qënë ministria jonë që i ka dhënë informacion për trafikimin e mallrave nën etiketën shqiptare, ç’ka është konfirmuar nga Rusia ashtu si kemi thënë ne dhe ka rezultuar se falsifikimi ka ndodhur në vende fqinje me Rusinë dhe jo në Shqipëri.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: