TIRANË- Nuk lejohet qarkullimi në aksin Tiranë-Elbasan nga ora 08:00 e datës 17 janar deri në orën 20:00 e datës 18 janar. Në të dy kahet e rrugës bllokohet qarkullimi në fshatin Ibë. Shkak për bllokimin e rrugës janë punimet që po kryhen për heqjen e masës shkëmbore dhe masivin e dheut që ndodhet pranë rrugës.

Lajmi u bë i ditur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar i cili bëri me dije se i ka kërkuar Drejtorisë së Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bllokimin e qarkullimit të automjeteve në të dyja kahet e lëvizjes në rrugën Tiranë- Elbasan në fshatin Ibë.

Ky proces duhet të kryhet në kushte të larta sigurie për shkak të rrezikshmërisë që ai mund të paraqesë për banorët e zonës dhe përdoruesit e rrugës. Policia Rrugore në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme të Policisë Rendit do të marrë masa për bllokimin e rrugës duke mos lejuar të qarkullojë në këtë aks rrugor asnjë automjet, si dhe nuk do të lejojë banorët që të lëvizën në zonën ku do kryhen punime.

Policia e Shtetit bën me dije të gjithë drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar të qarkullojnë në këtë aks rrugor gjatë fundjavës që lëvizja do kryhet nga rruga e Durrësit.

(a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: