TIRANE- Ministria e Arsimit dhe Sportit ka refuzuar nisjen e procedurave për pasaportat e futbollistëve, gjë që ka krijuar përplasje me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Nisur nga kjo situatë, FSHF e ka denoncuar publikisht këtë vendim si një rast të paprecedentë në kaluarën, ku Ministria e Arsimit dhe Sportit, e drejtuar nga Lindita Nikolla, refuzon pajisjen me pasaportë shqiptare të 9 futbollistëve të ekipeve të kombëtares.

Federata Shqiptare e Futbollit i kërkon MAS të ndryshojë qëndrimin, pasi sipas tyre “ky është rast i paprecedentë”

Janë ende të paqarta arsyet se pse MAS ka refuzuar kërkesën për pajisjen me pasaportë shqiptare të 9 lojtarëve të kombëtares shqiptare.

FSHF e shqetësuar për refuzimin e MAS
Federata Shqiptare është e shqetësuar për pengesat e fundit të krijuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në lidhje me plotësimin e proçedurave për pajisjen me pasaportë të nëntë futbollistëve dhe futbollisteve me origjinë nga Kosova, kandidatë të ekipeve kombëtare U-17, U-21 dhe ekipit kombëtar të femrave dhe U-19.

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Besnik Çela ka dalë përpara gazetarëve në një konferencë për shtyp në lidhje me këtë shqetësim të krijuar kohët e fundit. “Jam para jush për t’ju bërë me dije ju dhe opinionit sportive për dy shkresa që kanë ardhur në Federatën Shqiptare të Futbollit, në të cilat refuzohet fillimi i proçedurave për pajisjen me nënshtetësinë shqiptare, të nëntë lojtarëve me origjinë nga Kosova”-ka theksuar Çela.

Më pas, ai ka treguar për projetin afatgjatë që ka aplikuar FSHF për afrimin në ekipet kombëtare të futbollistëve të talentuar me origjinë nga Kosova. Një projekt, i cili ka ndikuar në rritjen e cilësisë sportive dhe afrimin e mjaft talenteve, që tashmë për të luajtur zgjedhin Shqipërinë dhe jo vende të tjera si Zvicra, Austria etj. Më pas, ai ka vlerësuar bashkëpunimin dhe mbështetjen që kanë dhënë deri më tani në këtë proces , institucionet e Presidentit të Republikës, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit Informativ Kombëtar. “Kjo punë shumëvjeçare ka dhënë frytet e saj, në arritjen e rezultateve historike siç është ngjitja në vendin e 22 e Shqipërisë në renditjen e FIFA-s. Vendi që Shqiperia mban në Grupin Eliminator dhe pretendimet serioze që sot kemi për të arritur një kualifikim, që do të ishte realizimi i ëndrrës të të gjithë shqiptarëve. Pjesëmarrja super e sukseshme e Skënderbeut, në Champion League. Dhe pikërisht në këtë moment shumë të rëndësishëm për futbollin shqiptar vjen ky refuzim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”-theksoi Besnik Çela, në përmbledhjen e tij.

Më pas, ai i bëri thirrje dikasterit të sportit dhe në veçanti Ministres Lindita Nikolla, që të rishikojë qëndrimin e saj për këtë çështje dhe të fillojë proçedurat për pajisjen e këtyre lojtarëve me nënshtetësi shqiptare. “Është në interesin e futbollit shqiptar dhe zhvillimit të tij, që talentet e spikatur që luajnë në Europë të afrohen në ekipet tona kombëtare për të ndikuar sa më shumë në rritjen e cilësisë sportive dhe të imazhit e tyre në botë”-përfundoi Çela.

REAGON MAS: 9 FUTBOLLISTËT S’PLOTËSONIN KRITERET E PARASHIKUARA
Nisur nga deklarata e Federatës Shqiptare të Futbollit, në lidhje me refuzimin e nisjes së procedurave për dhënien e nënshtetësisë shqiptare të disa futbollistëve me origjinë Kosovare, MAS sqaron si më poshtë vijon, se:

Ministria e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, është e angazhuar të ndërtojë dhe garantojë politikat më të mira në drejtim të zhvillimit të sportit në vend, duke përfshirë këtu sportin e futbollit një nga sportet më të dashura për shqiptarët dhe që së fundi ka arritur të shënojë rezultate historike.

Në rastet kur Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk ka propozuar dhënien e shtetësisë tek Presidenti i Republikës për disa futbollistë/e, kjo ka ndodhur për arsye se bazuar në dokumentacionin e secilit prej futbollistëve të depozituar në MAS nga Federata Shqiptare e Futbollit, ka rezultuar se këta futbollistë nuk plotësonin kriteret e parashikuara në nenin 9 të Ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare”, të ndryshuar, si dhe në ndarjen III, pika 2 të VKM nr. 554, datë 3.7.2013 “Për përcaktimin e procedurave për njohjen ose fitimin e shtetësisë shqiptare nga personat me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës”.

Pjesa më e madhe e rasteve për të cilat nuk është propozuar dhënia e shtetësisë ka qenë fakti se nuk kishin mbushur moshën 18 vjec. Në rastet e tjera, nuk janë plotësuar kriteret e paraqitura në VKM nr. 554, në ndarjen III, pika 2 (e cila parashikon rastet kur mund t’u jepet nënshtetësia).

Ministria e Arsimit dhe Sportit është e angazhuar të mbështesë politikat e Federatës Shqiptare të Futbollit, sikundër edhe të Federatave të tjera, në drejtim të përthithjes së talenteve të rinj për ekipet kombëtare, duke kërkuar madje edhe ndryshime ligjore të cilat lehtësojnë procedurat për marrien e nënshtetësisë shqiptare në rastet kur ka një interes kombëtar.

Nga ana tjetër, MAS përgëzon FSHF, Kombëtaren Shqiptare dhe gjithë komunitetin e futbollit shqiptar në tërrësi për arritjet historike në këto momente për futbollin shqiptar si dhe angazhohet të mbështesi maksimalisht me politika dhe investime konkrete në funksion të përmirësimit të cilësisë.

Prej dy vitesh MAS ka ndërtuar një kulturë të re komunikimi dhe bashkëpunimi shumë të mirë me FSHF, Federatat e tjera dhe me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit të sportit shqiptar. Likujdimi i të gjitha detyrimeve shtetërore ndaj sportistëve elitar shqiptar, hartimi i politikave strategjike dhe financimi i një vlere prej 25 milion euro në drejtim të zhvillimit të infrastrukturës së sportit është shembull i seriozitetit dhe vullnetit të kësaj qeverie për të investuar maksimalisht në rindërimin e sportit shqiptar.

Por sigurisht, MAS është e detyruar të zbatojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb