Festivali i 58-të i Këngës së Radiotelevizionit Shqiptar u shoqërua me debate të shumta sa i përket organizimit, por edhe të vetë rregullave që ishin caktuar për pjesëmarrësit. Krahas debatit për fituesin dhe për organizmin e festivalit, një tjetër temë ka marrë vëmendjen e publikut dhe kjo ka të bëjë me fshirjen e këngëve pjesëmarrëse nga kanali i “Youtube”.

Për këtë ka reaguar edhe Albautor, i cili thotë se RTSH-ja është e detyruar të paguajë në mënyrë urgjente të drejtën e autorit pa asnjë pretendim. Më tej, “Albautor” thotë se deklaratat se Albautor apo S.U.A.D.A. i ka bllokuar kanalin RTSh-së, janë të pavërteta, qesharake dhe dezinformuese.

Reagimi i Albautor:

Te nderuar artiste krijues, anetare dhe miq te Albautorit. Radio Televizioni Shqiptar ne menyre sistematike abuzon me te drejtat e krijuesve. Ne kundershtim flagrant me ligjin Shqiptar ne fuqi dhe me Vendimin e Gjykates Administrative te Apelit Tirane, RTSH eshte e detyruar te paguaje ne menyre urgjente te drejten e autorit pa asnje pretendim.

Albautor, se fundmi e ka percjelle kete shqetesim ne te gjitha instancat shteterore te vendit, si dhe prane Delegacionit te BE-se ne Tirane, EBU (European Broadcasting Union – Organizatori i Festivalit Europian te Kenges ne Eurovision), CISAC, OSBE, Youtube, Spotify, Amazone, etj. Youtube, si nje kompani serioze nderkombetare, nuk mund te lejoje qe nepermjet rrjetit te saj te abuzohet masivisht me te drejten e autorit. Me sa duket, te ndodhur perpara nje situate te tille masive te abuzimit, Youtube ka vendosur te bllokoje kanalin e RTSH qe transmetonte veprat prone e krijuesve shqiptare ne shkelje te ligjit. RTSH mjafton te argumentoje perpara Youtube qe paguan te drejten e autorit dhe qe eshte korrekte me ligjin dhe nuk do te kete me asnje problem.

Deklarimi se Albautor apo S.U.A.D.A. i ka bllokuar kanalin RTSh-se (ku administrator i rrjetit eshte Youtube dhe jo Albautori) eshte sa qesharak dhe disinformues. Duhet t’i kujtojme “te paditurve” se: PRONARI I NJE VEPRE ARTISTIKE ESHTE VETEM AUTORI! NUK KA TE DYTE!!! Te gjithe te tjeret, si Radiot apo TV, jane thjeshte shfrytezues i te drejtave. Ky eshte ligji, ky eshte gjyqi, kjo eshte e drejta!

Njoftim i RTSH për fshirjen e këngëve:

Këngët e Festivalit të 58 të Këngës në RTSH, të cilat kanë qenë të publikuara në kanalin kryesor të RTSH në YouTube (https://www.youtube.com/user/RadioTvShqiptar) nuk janë hequr nga RTSH për arsye teknike, por YouTube ka mbyllur kanalin si pasojë e sulmeve të pandërprera të njëpasnjëshme të kryera nga Qendra “Suada” dhe agjencia “Albautor” ndaj shumë videove të këngëve nga festivalet e këngës në RTSH ndër vite, të publikuara në kanalin kryesor të RTSH në YouTube.

Qendra “Suada” në kundërshtim me ligjin dhe Agjencia “Albautor” në abuzim me kompetencat që ka dhënë ligji, kanë deklaruar pranë YouTube të drejta, të cilat zotërohen në formë ekskluzive nga RTSH.

RTSH është duke e ndjekur këtë çështje me shumë vëmendje dhe pas mbledhjes dhe administrimit të të gjitha provave, do të fillojë proceset gjyqësore kundër të gjithë subjekteve që kanë shkaktuar dëmtimin e interesave të ligjshme të RTSH, duke mos përjashtuar asnjë autor të përfshirë, që nuk ka respektuar marrëveshjet e nënshkruara me RTSH me rastin e pjesëmarrjeve në Festivalin e Këngës në RTSH.

Ju njoftojmë se të gjitha këngët e Festivalit të 58 të Këngës në RTSH janë publikuar në kanalin e dytë të RTSH në YouTube. https://www.youtube.com/channel/UC6tAjIpd8AWLI4ErBpBh2qg

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb